E Diel, 1 Nëntor 2026

Miliona lekë abuzime, këpucët e policëve me material të skaduar dhe të kalbur

Nga falsifikimi u përfituan dhjetëra milionë lekë më shumë

Habjon Hasani
Ministria e Brendshme ka mbyllur sytë dhe ka lejuar prodhimin e mijëra këpucëve për policët, në kundërshtim me kontratat dhe parametrat që vetë kjo ministri ka paracaktuar. “Albania” ka marrë kampionë këpucësh, prodhimi i të cilave është paracaktuar në tenderin e vitit 2007 si dhe në kontratat specifike me firmat, ndërsa rezulton se materialet e përdorura janë në kundërshtim të plotë me kontratat dhe me përbërës të kalbur. Por ajo çka është më e rëndësishme vërehet në faktin se për dy seri këpucësh mungon edhe fiapi, i cili është një përbërës gome që vendoset i puthitur mes shuallit (që është në kontakt me tokën) dhe tabanit (që është në kontakt me këmbën). Vetëm nga mungesa e fiapit për çdo palë këpucë përfitohen rreth 150 lekë më shumë, e mund të merret parasysh fitimi nëse këtë shumë e shumëzon me mijëra palë të porositura për prodhim. Një tjetër element lidhet dhe me shumëngjyrimet e këtyre këpucëve. Ngjyra e materialit të këpucës është dhe treguesi i llojit të lëkurës që është përdorur. Ndërkohë që të gjitha seritë e prodhuara të këtyre këpucëve rezultojnë shumëngjyrëshe, duke dalë qartë se pjesë të ndryshme të tyre janë bërë me lëkura më të dobëta dhe natyrisht edhe më të lira në çmim.
Gjysmëverore
Kontrata e lidhur me firmat për prodhimin e këpucëve gjysmëverore përcaktonte se për 9 mijë e 505 palë të përdorej materiali njëngjyrësh, i quajtur astar meshin viçi. Por sot rezulton se ky material është zëvendësuar me tri pjesë – lloje astarësh meshini (nga tri bagëti), me tre ngjyra dhe jo të njëjta. Më konkretisht, në pjesën e quajtur veshët dhe në lapetë është vendosur astar meshin derri, ngjyrë krem. Në pjesën e përparme, nën syprinë, nga brenda këpucës, është vendosur astar meshin viçi sharranik ngjyrë kafe, të stampuar dhe me gunga, i cili rezulton si mbeturinë, pasi lehtësisht mund të griset me dorë. Stampimi duket se realizohet për të mbuluar defektet e meshinit. Si astar shtroje janë vendosur dy pjesë, si astar meshini në pjesën e prapme dhe meshin viçi sharranik ngjyrë të zezë. Edhe ky material mund të griset lehtësisht me dorë. Në pjesën e përparme është vendosur astar meshin derri ngjyrë krem me birosje. Një përllogaritje paraprake tregon se 0.27 metra katrorë i cilësisë astar meshin viçi duhet për një palë këpucë. Ose 2.584 metra katrorë astar i tillë duhen për prodhimin e 9.505 palë këpucëve gjysmëverore. Një mijë e 300 lekë është çmimi (pa TVSH) për 1 metër katror astar meshin viçi, cilësia e parë ose 3 milionë e 200 mijë lekë është vlera (pa TVSH) e astarit, që nevojiten për prodhimin e 9 mijë e 505 palë këpucëve gjysmëverore. Vlera në treg e 0.27 metra katrorë meshin derri dhe deleje (e cila është përdorur në të vërtetë), është rreth 500 lekë, ndërsa për 9 mijë e 505 palë këpucë vlera shkon në 1 milion e 292 mijë lekë. Diferenca (3 milionë e 359 mijë e 200 – 1 milion e 292 mijë) rezulton 2 milionë e 67 mijë e 200 lekë përfitim të paligjshëm. Por në këtë seri këpucësh mungon fare dhe materiali i fiapit, i cili ka një vlerë 150 lekë copa dhe që në total vetëm nga mungesa e këtij materiali dëmi dhe përfitimi i paligjshëm shkon rreth 1 milion e 425 mijë e 750 lekë, si rezultat i mosmontimit të 9.505 palëve “fiap gome” në 9.505 palë këpucë gjysmëverore. Si rezultat, këpucët gjysmëverore të policisë porositen 1400 lekë për palë, por përfundojnë në këmbët e policisë me 1032 lekë si rezultat i ndryshimit dhe fshehjes së materialeve nga zbatimi i kontratës nr.8/18 datë 26.06.2007. Ose afërsisht 368 lekë është vjedhja për një palë këpucë gjysmëverore (150 lekë mungesa e materialit “fiap” + 218 lekë ndryshimi i astarëve të brendshëm).
Përllogaritja
E njëjta analizë dhe logjikë e përllogaritjes së përfitimit të paligjshëm është përdorur edhe për llojet e tjera të këpucëve, ku përjashtim bën vetëm këpuca dimërore me qafë, e cila edhe pse kishte lloje të ndryshme astarësh, të paktën ishte e vetmja seri që kishte materialin e domosdoshëm të fiapit, ku sikurse shpjegohet në tabelën e përllogaritjes së përfitimit të paligjshëm, shuma totale shkon në 13 milionë e 803 mijë lekë për të gjitha seritë e këpucëve të porositura. Një fakt i rëndësishëm lidhet edhe me rolin e zyrtarëve apo punonjësve shtetërorë, të cilët kanë për detyrë të mbikëqyrin saktësinë e zbatimit të këtyre kontratave. Në secilën ministri ka ente dhe drejtori të caktuara që bëjnë verifikimin e produktit, por deri sot në Ministrinë e Brendshme duket se askush nuk e ka vënë “ujin në zjarr” për dhjetëra mijëra këpucë skarco, që blihen me lekët e taksapaguesve shqiptarë, që policët të vishen dhe të pajisen me to, për t’u siguruar garancinë këtyre taksapaguesve.

BOX

Shuma e shpërdoruar nga përdorimi i materialeve skarco

Këpucë gjysmëverore

4 milionë e 191 mijë e 540 lekë (me TVSH) rezulton përfitimi i paligjshëm nga zbatimi i kontratës Nr.8/18 datë 26.06.2007, nga të cilat:

a. 2 milionë e 480 mijë e 640 lekë nga devijimi i cilësisë së astarëve të brendshëm nga ato të parashikuar në kontratë.
b. 1 milion e 710 mijë e 900 lekë nga mungesa e 9505 palëve material “fiap gome”, të cilat nuk janë vendosur.

Këpucë gjysmëdimërore

1 milion e 878 mijë e 30 lekë (me TVSH) duket se është përfitimi i paligjshëm vetëm nga rritja e çmimit nga një procedurë në tjetrën në procesin e tenderimit

Këpucët gjysmëlustrafinë

688 mijë e 320 lekë (me TVSH) është përfitimi i paligjshëm nga përllogaritjet, për qëllime përfitimi.

Këpucë me qafa trupe

2 milionë e 656 mijë 560 lekë përllogaritet përfitimi i paligjshëm nga zbatimi i kontratës së lidhur më 18.10.2007.

Shuma i tejkalon 13 milionë lekët në rastin e llogaritjes si dëm financiar edhe ngritjen e çmimit për njësi nga firmat gjatë tenderimit

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›