Milito 27, Juventus 28

Fundjavën e shkuar Diego Milito ndezi luftën për Scudetto në Serie A duke realizuar dy herë në fitoren 3-1 ndaj Juventusit, që ia shkaktoi kampionit në fuqi humbjen e parë pas 50 duelesh në ligë.
Por, për më tepër, ballafaqimi shpalosi mungesën e një golgeteri te gjiganti torinez. Kurse, atë që i mungon Juventusit, e ka Interi, dhe ai është argjentinasi i cili pothuajse vazhdimisht realizon gola të rëndësishëm për Nerazzurrët.
Bianconerët në stinorin e shkuar fituan Scudetton e parë pas skandalit Calciopoli, por pak nga suksesi i tyre ishte meritë e fuqisë sulmuese. Këtë e dëshmojnë më së miri statistikat. Komplet reparti sulmues i Juventusit deri më tani brenda vitit 2012, ka realizuar vetëm një gol më tepër se Milito, 28 përkatësisht 27.
Milito realizoi 20 gola në ligë mes janarit dhe majit, pavarësisht periudhës së dobët të formës së skuadrës nën drejtimin e Claudio Ranierit dhe pasardhësit të tij, Andrea Stramaccioni. Prej asaj kohe ai ka shtuar shtatë gola të tjerë në stinorin e ri për një total prej 27 golash deri më tani këtë vit e që rivalizon komplet repartin sulmues të Juventusit.
Gjatë këtij viti, sulmuesit e Antonio Contes kanë shënuar vetëm 28 herë në total duke konfirmuar mungesën e një golgeteri tipik. Për shumëkënd mund të duket se edicioni 2012-13 ishte duke shkuar sipas planit për Juventusin, para humbjes nga fundjava e shkuar, por sulmuesit e Bianconerëve janë duke u shfaqur edhe më pak efikas se edicionin e kaluar.
Gjatë 2011-12, sulmuesit e Juventusit ishin përgjegjës për shënimin e një goli çdo 221 minuta. Kurse këtë stinor Mirko Vucinic, Sebastian Giovinco, Alessandro Matri, Fabio Quagliarella dhe Nicklas Bendtner kanë realizuar më pak se vitin e shkuar, me mesatare të përbashkët prej mesatarisht një goli çdo 223.67 minuta.
Krahasojeni këtë me Interin dhe do të mësoni se fuqia sulmuese e Nerazzurrëve, e përbërë nga Milito, Antonio Cassano, Rodrigo Palacio dhe Marko Livaja kanë realizuar 88 minuta më herët se mesatarja e Juventusit.
Matri ishte golashënuesi më i mirë i Juventusit në edicionin e shkuar me total prej vetëm 10 golash. Kurse, si kompliment për Militon mund të shërbejë statistika se vetëm Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë realizuar më tepër gola brenda vitit 2012.