“Miller investitor në Shqipëri, me Baftjar Zeqon u takua në Nju Jork”
Reagon “Apollonia Investment”
Drejtues të kompanisë “Apollonia Investment”, përgënjeshtrojnë lajmet rreth arrestimit të shtetasit Augusto Blacker Miller. “Miller është i lirë, askush nuk e ka arrestuar. Ai po përgatit një komunikatë për shtyp dhe ne nuk mund të themi asgjë lidhur me këtë çështje”. Burime pranë “Apolloni Investment” pohojnë se “Miller është në Shqipëri me vizë dhe leje qëndrimi të rregullt”.
Kompania sqaron më tej se Miller mbërriti në Shqipëri më 10 shtator 2012 për të vazhduar një proces investimi të lokalizuar në qytetin e Fierit. Përpjekje që kishin nisur që në shkurtin e atij viti. “Ai ka drejtuar kompaninë Apollonia Investments Sh.p.k, veprimet dhe aktivitetet e saj që prej momentit kur është themeluar korrikun e vitit 2012 në Shqipëri. Miller u largua nga Peruja më 21 nëntor 2002 për tu zhvendosur në Shtetet e Bashkuara ta Amerikës. Atje qëndroi deri shtatorin e vitit 2012 përpara se të vinte në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Përpara se të vendosej në Shqipëri, Miller kontaktoi dhe takoi Baftjar Zeqon, kryebashkiakun e Fierit në New York. Gjatë takimit, kryebashkiaku bëri të qartë se ai dhe qyteti i tij do të mirëprisnin çdo investim si ato që propozonte Miller. “Apollonia Investments” Sh.p.k thotë se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për investimin në Shqipëri. “Kompania ka kopjet e dokumentacionit dhe përgjigjeve nga zyrat e qeverisjes qendrore dhe lokale. Për më shumë kompania ka mbajtur dy simpoziume në katër muajt e fundit me qëllim që të shpjegojë teknologjinë dhe mënyrën e zbatimit të projekteve në qytetin e Fierit. Miller ka lënë Perunë nëntorin e vitit 2002 përmes aeroportit të Limas. Procedimi ndaj tij dhe të gjithë pjesëtarëve të kabinetit që shërbenin në qeverinë e Perusë në prillin e vitit 1992 ka nisur vetëm gjatë pjesës së dytë të vitit 2004. Të gjithë ministrat e përfshirë në këtë hetim ishin në Lima në vitin 2009 përpara Gjykatës së Lartë të këtij vendi ku u cilësuan të pafajshëm. Ai u largua nga New York-u shtatorin e vitit 2012 për të investuar në Shqipëri. Kompania deklaron se çështja ndaj Blacker-Miller u nis nga një vendim personal i Presidentit të Perusë, Alberto Fujimori në prill të vitit 1992 kur Miller shërbente si ministër i jashtëm i Perusë. Më 10 janar 2013-ë, Miller në mënyrë të vullnetshme ju drejtua zyrave të policisë së emigracionit në Tiranë, për të përditësuar statusin e vizës së tij”, sqaron publikisht kompania “Apollonia Investment”.
Policia e Shtetit: Miller nuk është në kërkim ndërkombëtar
Policia e Shtetit sqaron se nuk ka kryer asnjë arrestim të shtetasit peruan, Augusto Blacker Miller, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e mediave.
Në një deklaratë për mediat, Policia deklaron se ish ministri peruan nuk rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar. “Lidhur me njoftimin e dhënë në disa media të shkruara dhe vizive, në lidhje me arrestimin nga strukturat e Policia e Shtetit shtetasit Augusto Blacker Miller, ju bëjmë me dije se: Nga strukturat policore të Policisë së Shtetit nuk është arrestuar ndonjë shtetas Peruan me emrin Augusto Blacker Miller. Ish-ministri peruan, sipas Policisë së Shtetit shqiptar nuk rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjithashtu ju bëjmë me dije se shtetasi Augusto Blacker Miller nuk rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Policisë së Shtetit.