E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milloshoski: Ideja për ndarje, e papërgjegjshme

Ministri i Punëve të Jashtme te Maqedonisë, Antonio Milloshoski, e ka vlerësuar “skajshmërish të papërgjegjshme”, deklaratën e fundit të nënkryetarit të qeverisë serbe, Ivica Dacic, se ndarja e Kosovës është mënyra e vetme për zgjidhjen e statusit të saj.

“Harta gjeopolitike e Evropës Juglindore dhe e rajonit është mbyllur dhe nuk ka vend për ide për shtete të mëdha, as për Serbi të madhe, as për Shqipëri të Madhe, e as për çfarëdo tjetër. Zgjidhja nuk është te kufijtë dhe ndarjet e reja. Deklaratat e tilla janë të papërgjegjshme. Nuk ka as dëshirë e as vullnet apo mbështetje për ndarje të kufijve, veç futjen e tyre në kufij administrativ evropian”, ka deklaruar në Strugë, Ministri Milloshoski pas një takimi që kishte me eurodeputen nga Suedia Ana Ibrisagiq, e cila, gjithashtu kundërshtoi idetë për ndarje të reja në rajon.

Shefi i diplomacisë maqedonase tha se kanë diskutuar edhe rreth kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe në të njëtën kohë, i kanë bërë thirrje Athinës të angazhohet për mbylljen e këtij problem, pasi kjo është edhe në interes të saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›