E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo: Do takojmë partnerë të tjerë politikë. PS-ja pa aleatë

04-09-2012 / Gazeta 55

Pas deklaratës së Edi Ramës për një tur vetmitar në bazë, reagojnë të pakënaqur aleatët
 
Efektet e para të pakënaqësive të aleatëve të socialistëve për mos ndryshimin e sistemit zgjedhor, duket se do të reflektohen që në takimin e parë të koalicionit së opozitës së bashkuar. Pas deklarimit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama se do të nisë një tur në bazën socialiste për të dëgjuar militantët dhe denoncuar qeverinë pa marrë parasysh ngritjen e një frontit të madh opozitar; kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në një prononcim për mediat deklaroi se partitë e vogla nuk do të hyjnë në zgjedhje si një trup i vetëm, pa nënshkruar më parë një marrëveshje, në të cilën të marrin garanci nga PS-ja se do t`i trajtojë aleatët si partnerë. “Gjatë ditëve të ardhshme do kemi takime intensive me drejtues të PS-së, por dhe me partnerë të tjerë, do kërkojmë një marrëveshje të përcaktuar, ruajtjen e votës dhe respektimin e partneritetit” tha Milo. Nga ana tjetër, Milo zbulon se prej ditësh Partia Demokracia Sociale ka nisur takimet për të hartuar strategjinë për marrjen e sa më shumë votave në zgjedhjet e 2013-tës. “Kemi ditë që kemi filluar takimet. Do të mbledhim në bazë kalendari të gjitha strukturat në rrethe” deklaroi ai. Megjithatë krahas “dialogut me veten”, kryesocialisti është në prag të zyrtarizimit të sloganit elektoral, i cili më së shumti është një indice se PS është një dhe e vetme, pa partitë aleate. “Bashkimi i ri për ndryshim”, është një përpjekje për të distancuar Partinë Socialiste nga aleatët e saj 10 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Kreu i PS, Edi Rama në vazhdimësi ka mbajtur një qëndrim refraktar dhe abuzues ndaj partive të vogla, ndërsa synimi i tij i vetëm ka qenë luftimi dhe zhdukja e tyre nga skena politike, por siç duket ky do jetë dhe rasti i fundit që flitet për binomin PS-Aleatë, për faktin e vetëm se, mos njëra, tjetra do i takojë të shkuarës pas zgjedhjeve të 2013-ës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›