Karburantet: Ekspertët, rritja do të vazhdojë në varësi të bursës ndërkombëtare
Karburantet në vend po arrijnë çmime rekord. Një litër naftë në karburantet e kryeqytetit varion deri në 172 lekë. Ndërsa një litër benzinë deri në 178 lekë. Ndërkohë që çmimi në karburante të ndryshme nuk është i unifikuar. Madje nga vëzhgimet e përditshme, vërehet se nëpër karburantet e Tiranës, tabelat ku shfaqen çmimet kanë dalë nga funksionimi për të abuzuar me këto çmime. Ekspertët parashikojnë në fakt çmime më të larta se këto që po hasen çdo ditë. Ekspertët që merren me bursën shprehen në lidhje me fenomenin se gjithçka varet nga situata në Lindjen e Mesme, nga e cila eksportohet edhe karburanti, në këtë mënyrë rritja e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare do të reflektohet padyshim në tregun e brendshëm. Sipas ekspertëve, për të amortizuar çmimin e lartë të karburanteve, nevojitet një stimulim i prodhimit vendas dhe ndërhyrje e qeverisë me politika fiskale, duke zbritur e akcizën për importuesit e mëdhenj. Dhe e gjithë barra bie mbi konsumatorin shqiptar, i cili është i detyruar që përveç çmimit të lartë, të paguajë edhe për cilësinë jo të mirë të produktit që blen e të dyshojë edhe për masën që shpesh, sipas tij, është dyshuese.