Milo: Karburantet në monitorim të vazhdueshëm
Autoriteti i Konkurrencës, në mënyrë të vazhdueshme monitoron tregun e karburanteve dhe pikat e tregtimit të gazit me pakicë. Kreu i këtij Autoriteti, Lindita Milo, tha për gazetën “MAPO” se monitorimi i tregut të karburanteve dhe gazit ka qenë i vazhdueshëm nga ky institucion e po monitorohet edhe aktualisht kur ne flasim, sidomos pas konfliktit mes Shoqatës së Gazit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. “Ne kërkojmë nga pikat e karburanteve, në mënyrë të përhershme çdo lëvizje që bëjnë. Jemi në periudhë monitorimi dhe do të dalim me konkluzione”, - u shpreh Milo. Ndërsa, çmimi i gazit arriti kuotat më të larta 1500 lekw/kg dhe çmimi i naftës 162 lekw/litër, shoqata e gazit ka vendosur mbylljen e të gjitha pikave të shitjes së këtij produkti në gjithë vendin, në një kohë kur qytetarët që e konsumojnë këtë produkt ,po përballen me vështirësinë e mungesës së tij në treg. Ndërsa nga një hetim i thelluar, për gati një vit i kompanisë Petrolifera, nga Autoriteti i Konkurrencës, kompania italo-shqiptare ka rezultuar e pafajshme, në lidhje me akuzën e sjelljes monopolistike në tregun shqiptar për ngarkim-shkarkim dhe depozitim të gazit të lëngshëm. Në këtë mënyrë, kompania italo-shqiptare në fjalë ka rezultuar se nuk është monopol në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe të depozitimit të gazit të lëngshëm. Autoriteti në fjalë i ka dhënë të drejtë kompanisë Petrolifera, në lidhje me konfliktin me disa ndërmarrje importuese të gazit të lëngshëm.
Ndërsa shoqata e gazit ka sqaruar se çmimi i lartë i gazit dhe naftës në tregun vendas vjen si rezultat i bllokimit të Petroliferas nga tatimorët. Sipas shoqatës në fjalë, dëmi aktual i shënuar nga ky bllokim, që tatimorët po i kryejnë Petroliferas është rreth 3 milionë euro. Kështu, ka lindur një konflikt mes shoqatës së gazit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që ka në qendër dhe kundërshtimet e tregtarëve të gazit, për t’u pajisur me kasa fiskale, duke e argumentuar me pamundësinë teknike dhe financiare.