E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionet e lira bëjnë gati rritjen e çmimeve, pas vënies së TVSH

SHKRUAN: Sabina Veizaj 05-02-2011 10:37

Qytetarët shqiptarë, që nga ky muaj do të paguajnë 20% më shtrenjtë dentistin, noterin, arkitektin, etj. Ligji i ri i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, i cili ka përfshirë gjithë profesionet e lira, i detyron ata të paguajnë TVSH-në prej 20% për çdo shërbim. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO”, në lokalet e noterive dhe klinikat dentare, rezultoi se ata i kanë nisur tashmë procedurat për pajisjen me kasa fiskale. “Nga trajnimet që kemi kryer në shumë vende të Europës, kemi parë që profesioni i noterit nuk fiskalizohet. Kjo është thjesht një praktikë shqiptare. Ne në parim e kundërshtojmë këtë ligj të ri, pasi noterët nuk kanë nevojë për kasa fiskale. Ne mbajmë regjistra, ku regjistrojmë çdo shërbim. Madje edhe nëqoftëse i bëjmë një shërbim një të afërmi dhe nuk i marrim lekw, paguajmë nga xhepi taksën dhe pullën. Ato janë të verifikueshme, sepse ne kontrollohemi vazhdimisht nga tatimet dhe nëqoftëse regjistri nuk rezulton në rregull, ne penalizohemi”, - u shpreh një notere. Sipas saj, efekti i ligjit të ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar do të bjerë në kurriz të klientit. Gjithashtu, ajo sqaroi se kasa fiskale do të pengojë intensitetin e punës së saj, pasi klientët nuk presin të marrin kusurin, e jo më të presin të printohet fatura tatimore. Edhe dentistët do të rrisin çmimin e shërbimeve. “Çmimet e produkteve janë rritur. Tani edhe TVSH 20%. Jemi të detyruar të rrisim çdo shërbim. Nuk e shohim normale fiskalizimin edhe të profesionit tonë, megjithatë do të zbatojmë ligjin. Pasi kemi bërë gati të gjithë dokumentacionin, jemi duke pritur të pajisemi me kasën fiskale”, - u shpreh një dentiste. Në këtë mënyrë, të gjithë profesionet e lira, si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, mami, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, nga ky muaj nisin pagesën e TVSH-së. Këto shërbime priten të rriten me 20 për qind që nga ky muaj, për shkak se ka hyrë në fuqi ligji i ri i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, i cili përjashton pragun e patatuar 2 milionë lekë, që ishte më parë për këto profesione. Sipas udhëzimit të tatimeve, që në momentin e aktivizimit për TVSH-në, këta tatimpagues do të lëshojnë dhe faturojnë TVSH, në faturat që do të lëshojnë për shërbimet që kryejnë. Për t’u pajisur me fatura tatimore me TVSH, do të drejtohen pranë Drejtorive Rajonale Tatimore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›