E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurobondi në tregun ndërkombëtar pa pyetur Kuvendin

SHKRUAN: Blerina Hoxha 05-02-2011 10:37

Procedurat për emetimin e Eurobondit në tregun ndërkombëtar do të lehtësohen pavarësisht se, Shqipëria ka anuluar planet për të emetuar një Eurobond tjetër gjatë këtij viti. Ministria e Financave është duke përgatitur një projektligj, që synon daljen në tregun ndërkombëtar të huamarrjes, pa marrë miratimin e qeverisë dhe parlamentit, siç ndodhi me emetimin e Eurobondit, 300 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Burimet në Ministrinë e Financave sqaruan se, projektligji sjell një praktikw europiane në këtë fushë, sipas të cilës qeveritë dhe financat nuk marrin miratimin e parlamentit, për të financuar deficitin e buxhetit nëpërmjet Eurobondit. Këtë praktikw, sipas tyre, duhet të implementojë edhe Shqipëria, për të shmangur procedurat, në rast se i duhet të dalë në tregun ndërkombëtar të Eurobondit. Me këtë projektligj, Ministria e Financave ka tagër të emetojë Eurobond njësoj si emeton bonot e thesarit dhe obligacionet nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, çdo fund viti kur miratohet buxheti i vitit pasardhës, përcaktohet edhe deficiti buxhetor që do të financohet nëpërmjet borxhit. Ky borxh mund të jetë i jashtëm dhe i brendshëm. Ministria e Financave gjatë vitit, duke parë ecurinë e normave të interesit, si në tregun e jashtëm, dhe në atë të brendshëm, do të vendosë mënyrën e financimit që ka koston më të lirë. Nëse kushtet e ofrojnë që financimi i buxhetit duhet të bëhet me Eurobond, atwwherë Ministria e Financave vendos emetimin e tij pa pyetur qeverinë dhe parlamentin. Opsioni më i mirë në termat e kostos dhe uljes së riskut është financimi i një pjese të konsiderueshme të kërkesave të borxhit, nëpërmjet huamarrjes së jashtme tregtare, në formën e Eurobondeve, sqaron Ministria e Financave në një strategji të re, hartuar së fundmi për koston e huamarrjes. Kërkesa më e vogël, që mbetët për huamarrjen në tregun e brendshëm, mund të financohet nëpërmjet obligacioneve, duke lejuar stokun aktual të bonove të reduktohet dhe në këtë mënyrë, duke ulur dukshëm riskun e rifinancimit. Por, sipas Ministrisë së Financave, nisur nga aksesi që do ketë qeveria në tregun e jashtëm dhe të brendshëm, për instrumente afatgjatë, strategjia realiste që vlerësohet e mundshme është skenari i strategjisë 3, me instrumente të borxhit me afat 5-vjeçar në tregun ndërkombëtar (Eurobond), plotësuar me instrumentet afatgjatë në tregun e brendshëm. Nisur nga ngjarjet e 21 janarit, qeveria shqiptare tashmë është e ekspozuar ndaj një rrisku më të lartë, ndaj dhe Ministria e Financave ka anuluar planet për emetimin e një eurobondi të ri në tregun ndërkombëtar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›