E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Këtë javë vendosim për koalicionin

Kreu i PDS, Paskal Milo është i dyzuar mes Edi Ramës dhe Ilir Metës për zgjedhjet e vitit 2009. Burimet thonë se gjasat janë për një koalicion me PS-në, por Milo shprehet se ka pasur negociata edhe me LSI-në. 

TIRANE-PDS do të shpallë këtë javë aleatin e saj për zgjedhjet e vitit 2009. Burimet thonë se gjasat janë për një koalicion me PS-në dhe Edi Ramën. Këtë e tregon edhe shfaqja e fundit e kreut të PDS-së përkrah Ramës gjatë ceremonive për 29 Nëntorin. Por kjo u duk edhe në protestën e madhe që zhvilloi LSI, ku Milo dhe kryesia e PDS-së vendosën të mos marrin pjesë. “Fakti që na patë gjatë festave kombëtare së bashku me drejtues të tjerë të majtë dhe të opozitës shqiptare, është një mesazh që Demokracia Sociale do të vendosë gjatë ditëve të ardhshme për partnerët e saj në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës”, - tha Milo i pyetur nga mediat. Kreu i PDS-së, Milo vazhdon të jetë ende pjesë e grupit parlamentar të së Majtës për Integrim të Metës. Ai shprehet se ka pasur negociata edhe me kreun e LSI-së, por përzgjedhja do të bëhet mbi bazën e mandateve që ofron çdo forcë. “Do të nisemi në radhë të parë nga interesat e përfaqësimit të Demokracisë Sociale, të cilat në një koalicion të ardhshëm duhet të prodhojnë një numër të caktuar deputetësh. Me të cilin koalicion ne përbëjmë një forcë të madhe për të ardhur në pushtet”, - tha Milo.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›