E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: “Lul Basha” në gjykatë para 6 dhjetorit

Nga Klodiana Lala
Prokuroria do të dorëzojë në Gjykatën e Lartë dosjen "Durrës-Kukës", ku ministri i Jashtëm Lulzim Basha, dhe ish vartësi i tij Andi Toma akuzohet për abuzime, para skadimit të afatit.
TURI I BASHES  

TIRANE- Dosja voluminoze Durrës-Kukës me abuzimet e kryera nga ish-kreu i Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-vartësi i tij, Andi Toma, me fondet e Rrëshen-Kalimash, do të përfundojë në gjykatë brenda 6 dhjetorit. Kërkesa penale e bërë nga ministri Basha në Gjykatën e Tiranës, ku kundërshton zgjatjen e afateve të hetimit për një muaj (6 nëntor–6 dhjetor) nuk e pengon aspak institucionin e drejtuar nga Ina Rama që t’i japë zgjidhje çështjes. “Ish-ministri i Transporteve u thirr të paraqitej në prokurori për t’u njohur me akuzat, por duke qenë se e refuzoi një gjë të tillë, vendosëm të përdorim rrugën postare. Në këto kushte, grupi i hetimit do ta ketë gati dosjen për në Gjykatën e Lartë. Dosja Durrës-Kukës do të dorëzohet për gjykim më datë 6 dhjetor”, - deklaroi një burim zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme. Por, kësaj deklarate i është kundërvënë avokati mbrojtës i ministrit të Jashtëm, mbi supet e të cilit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”. Zef Nikaj tha për “GSH” se veprimet e prokurorisë janë të paligjshme dhe Lulzim Basha nuk është njohur ende me ndonjë akuzë. “Data 6 dhjetor është përcaktuar si dita e mbylljes së hetimeve të dosjes Durrës-Kukës, ndaj brenda këtij afati duhet të dorëzojmë dosjen në gjykatë”, - tha Holta Zhiti, zëdhënëse e prokurorisë. Gjykata e Lartë do të kthehet më pas në një shesh- betejë të vërtetë mes ministrit Basha dhe organit qendror të akuzës.
Dosja
Fakti që Lulzim Basha refuzoi të paraqitej në prokurori për t’u njohur me akuzën, këtë institucion nuk e pengon asgjë që dosjen Durrës-Kukës ta dërgojë në Gjykatën e Lartë për gjykim. “Dosjen do ta dorëzojmë në gjykatë për gjykim brenda 6 dhjetorit”, - saktësuan burime të organit qendror të akuzës. Të njëjtat burime saktësuan se ankesa që Lulzim Basha ka bërë në gjykatë, nuk i pengon ta mbyllin dosjen dhe ta dërgojnë në gjykatë. Por, ndërsa vetëm katër ditë e ndajnë prokurorinë nga përfundimi i këtij afati, Gjykata e Tiranës pritet të marrë në shqyrtim kërkesën penale të ish-kreut të Transporteve, Lulzim Basha për shfuqizimin e vendimit për zgjatjen e afateve të hetimit dhe për rrjedhojë, dhe shpalljen të pavlefshme të të gjitha veprimeve të kryera pas datës 6 nëntor 2008. Gjykata e Apelit pritet të dalë me një tjetër vendim, nëse është apo jo i drejtë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, që e urdhëroi prokurorinë të ndërpresë hetimet për Durrës-Kukës. Hetimet për abuzimet me fondet e Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, nisën një vit e shtatë muaj më parë. Në bankën e të akuzuarve do të ulen ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtori juridik i këtij institucioni, Andi Toma. Dy ish-zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Transporteve, Armand Teliti dhe Lejla Saraçi u liruan nga akuzat për mungesë provash dhe faktesh.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›