Prapaskenat e socialistëve
Pas akuzave që Sarkozi i drejtonte kandidatit dhe rivalit të tij socialist Hollande, se sipas tij ai flet vetëm me të majtët duke i kërkuar në të njëjtën kohë kandidatit Hollande se për të qenë president i Francës duhet të jesh president i të gjithëve, vetë stafi i Hollande po përpiqet të përfitojë nga një intervistë e Dominique Strauss – Kahn. Socialistët dhe e majta radikale pasi janë shprehur se sipas tyre Kuba është një demokraci, pasi kanë privatizuar 1 majin - siç është shprehur Sarkozi, tashmë kërkojnë të komentojnë intervistën e Dominique Strauss – Kahn, i cili flet për përfshirjen e shërbimeve sekrete në ngjarjen që i ndodhi me kamarieren në hotelin Sofitel. Dominique Strauss – Kahn, personi që më 14 maj të vitit 2011, në momentin që kishte dalë nga një taksi e New York -ut përballë Sofitel, një hotel luksoz i Manhattan-it u akuzua nga drejtësia amerikane për përdhunim. Telekamerat morën pamjet e tij ndërsa hynte në hotel. Ishte në kulmin e karrierrës së tij si politikan dhe ekonomist, ndër më të mëdhenjtë thuhej atëherë, me një curriculum shumë të pasur. Kishte qenë ministër i Ekonomisë franceze dhe pastaj shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vetëm një ditë më pas Dominique Strauss - Kahn, do të nisej për në Berlin ku kishte programuar një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilës do t’i kërkonte mbështetje për Greqinë. Sipas Strauss - Kahn: “Nëse Gjermania do të adoptonte planin e tij, edhe qeveritë e tjera do ta kishin ndjekur” - në të kundët nënvizon ai “kriza do të ishte e pakontrollueshme dhe mund të kishin pasoja edhe Spanja, Italia dhe vende të tjera të Eurozonës”. Ndërkaq Dominique Strauss – Kahn ishte gati për të kandiduar për në presidencën franceze. Vetë ai nënvizon se: “Kisha në mendje për ta thënë më 15 qershor dhe nuk kisha dyshime që do të isha kandidati i parë socialist”. Dhe ndoshta mund të kishte të drejtë sepse sipas sondazheve të asaj kohe flitej se ishte 20 pikë më lart se presidenti Sarkozi. Pikërisht në atë kohë Dominique Strauss – Kahn, arrestohet i akuzuar për përdhunim. Vetëm disa muaj më vonë u zbulua, (në gusht të vitit 2011) se kamerierja nuk thoshte të vërtetën. Por ndërkaq akuza të tjera rëndonin mbi të që kishin të bënin me prostitucionin në Francë. Në ditët e qëndrimit në hotel ndihej si i përgjuar dhe sipas tij të gjitha këto ishin “të krijuara nga kundërshtarët politikë”. Por pas mbylljes të kësaj historie, pasi ka paguar një agjenci investigimi ka parë lëvizje të dyshimta në atë hotel i cili ishte në pronësi të francezëve. Flitet se drejtori i sigurisë të hotelit Sofitel ishte, John Sheehan i cili atë ditë nuk punonte por ndërroi turnin me një koleg tjetër. Shefi i tij ishte Rene-Georges Querry, i cili kishte punuar në policinë franceze dhe kishte punuar nga afër me Ange Mancini që më pas do të bëhej koordinatori i shërbimeve inteligjente të Sarkosi-së. Sipas Dominique Strauss - Kahn armiqtë e tij e gjurmonin hap pas hapi. Shenjat ishin të dukshme, dhe ai i kishte kërkuar sigurisë që të shikonin edhe shtatë celularët e tij. “Ndoshta kam qenë politikisht naiv, por me të vërtetë nuk besoja se ata do të arrinin deri këtu për të më ndaluar”. Megjithatë vetë Dominique Strauss - Kahn, shprehet se kishte dalë nga dushi ashtu lakuriq dhe përpara tij ndodhej një kameriere që po e shikonte. “Jam i sigurtë që nuk kishte në dorë lecka për të pastruar” dhe më vonë gruaja që sipas tij i kërkonte që të kryenin marrëdhënie seksuale. Pastaj “armiqtë” e tij e kanë shtyrë kamerieren që të shkojë në polici duke e transformuar këtë takim privat në një takim publik. I përgjuar nga shërbimet sekrete? “Ndoshta ka qenë një rastësi”, sidoqoftë autoritetet franceze duhet të ndërhynin për mos ta lënë të dergjej burgjeve amerikane për një javë rresht. Një gjë është e qartë që socialisti që do të kandidonte për presidencën franceze në vitin 2009, pasi arriti në New York në muajin maj kishte marrë pjesë në gjashtë festa të ndryshme seksi me disa prostituta duke u akuzuar “për favorizim prostitucioni”. Dominique Strauss – Kahn nënvizon se i ka mbetur peng që nuk arriti të fliste me kancelaren gjermane Angela Merkel për Greqinë. “Nuk jam i sigurtë nëse do ta bindja” – por ndoshta ajo do të mbështeste planin tim dhe ndoshta kriza greke do të bllokohej që në nisje.