Milo: Rama po qëndron pasiv, se po pret partinë e Bamir Topit
Aleatët e koalicionit opozitar paralajmërojnë: S’do jemi më garnitura e Edi Ramës, do rishikojmë qëndrimin ndaj PS
Kreu i PDS-së Paskal Milo zbardh për mediat një pjesë të skenarit okult që po përgatit bashkëjetesën politike mes Edi Ramës dhe Bamir Topit. Por ai e paralajmëron lidershipin socialist se s’mund të vazhdohet gjatë me këtë koalicion humbësish, prandaj edhe po pret ndryshim qëndrimi prej PS-së, para se të shpallë qëndrimin e tij të ri politik
“Edi Rama është në pritje të formalizimit të partisë së re, që aktualisht qëndron i fshehur nën maskën e shoqërisë civile, apo i fjetur në skutat politike”.
Këtë nënkuptoi dje kryetari i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kur tha se pasiviteti politik i Edi Ramës, ka të bëjë me lindjen e një force të re politik nga spektri i djathtë, nën timonierin Bamir Topi. Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të së majtës politike, Paskal Milo, e tha haptazi dhe pa asnjë ekuivok se nga maska e shoqërisë civile dhe gjumi letargjik i Edi Ramës, fshihet projekti “ambicioz”, për futjen në “tregun” politik shqiptar, të një force të re politike, e cila fillimisht do të ketë një mbështetje të fortë institucionale, nga elementë të cilët tashmë njihen se kush janë.
Edi Rama dhe Bamir Topi kanë zgjedhur të “bashkëjetojnë” në prapaskenë, në pritje të momentit të përshtatshëm për aktivizimin e partisë së re, pikërisht në vitin 2012-ë, kur edhe skadon mandati presidencial i Bamir Topit.
“Mund të ketë një prurje nga e djathta në koalicionin opozitar aktual me krijimin e një partie të re politike që duket në sfond se do të ndodhë në vitin 2012. Në vitin 2012 do të ketë një përpjekje nga e djathta për të krijuar jo vetëm një parti politike, por ndoshta edhe për të krijuar një pol të tretë politik që do të mund të grumbullonte ato që quhen parti të qendrës së djathtë dhe nuk kanë pasur një bosht të qëndrueshëm gjatë këtyre viteve”, tha Milo, nisur nga fakti se nga radhët e së djathtës ka disa të pakënaqur që nxiten në këtë vorbull nga ish nënkryetari i Partisë Demokratike, aktualisht President i Republikës Bamir Topi.
Aleati i socialistëve, Paskal Milo, shton më tej kur thotë se, në kushtet kur Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës, duket gjithnjë e më larg koalicionit të majtë, Edi Rama është vënë në kërkim të burimeve elektorale, dhe rasti më i mirë për t’u shfrytëzuar është Bamir Topi, duke i kujtuar këtij të fundit “pensionin” e parakohshëm, me përfundimin e mandatit presidencial në 2012-ën.
“S’do jemi më garnitura e Edi Ramës, do rishikojmë qëndrimin ndaj PS-së”
Të pakënaqur me qëndrimin e Edi Ramës ndaj tyre, aleatët kryesorë të Partisë Socialiste paralajmërojnë se do të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me partinë më të madhe opozitare, nëse kryesocialisti do vazhdojë t’i shpërfillë ata.
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, aleati historik i selisë rozë, thonë se në 6 vitet e drejtimit të PS-së, Rama nuk i dha partive të së majtës, atë që meritojnë realisht. Durimi ndaj kësaj sjellje të Ramës duket se është duke iu sosur aleatëve, ndaj dhe Milo deklaron se nëse PS nuk ndryshon kurs në raportet e saj me partitë e tjera të majta, atëherë do të ishte e udhës që të rishikohej qëndrimi me partinë më të madhe opozitare. Milo thotë se s’do pranojë më të jetë garnitura e Edi Ramës, pasi siç thotë ai, ky i fundit është mësuar të dalë i humbur nga çdo garë elektorale.
“Partia Socialiste në të kaluarën nuk është se ka bërë pak gabime në marrëdhënie me aleatët dhe i kanë kushtuar këto gabime që ka bërë, por puna është që të korrigjohen këto gabime. Për fat të keq, unë ende nuk jam shumë optimist se Partia Socialiste do të ndryshojë mentalitetin e vet dhe filozofinë e vet në marrëdhënie me aleatët. Ne nuk mund t’i mbushim mendjen qoftë kryetarit të Partisë Socialiste, qoftë dhe lidershipit të PS se, duhet të bëjë ndryshime thelbësore në qëndrimet ndaj aleatëve. Nëse ata nuk arrijnë dot të reflektojnë, atëherë është punë e tyre dhe përgjegjësia e tyre. Ne do të vazhdojmë që të këmbëngulim që të ketë një koalicion relativisht efektiv ku ne të mos përdoremi si garniturë, ku ne të mos jemi thjesht një aleat i radhës për zgjedhjet e radhës, por të jemi partnerë seriozë, ku të ndajmë të mirat dhe të këqijat që mund të ketë koalicioni. Nëse Partia Socialiste do të gjykojë se mënyra se si ka ‘jetuar’ deri më tani me aleatët është e mirë apo është e dobishme për të, ne do të shikojmë patjetër mundësitë që të mos ndodhemi gjithnjë midis të humburve, për shkak të gabimeve të të tjerëve. Pra, rrugët tona, nëse Partia Socialiste nuk do të gjejë mundësitë që të reflektojë dhe të ndërtojë një koalicion që të jetë një koalicion optimist drejt fitores në të ardhmen, patjetër që ne nuk do të rrimë pasivë dhe të ndjekim në mënyrë të verbër çfarë do të bëhet dhe çfarë do të thuhet”, u shpreh kreu i PSD-së, Milo.
Edhe pse vetë është jashtë parlamentit që prej vitit 2009-ë, për shkak të Kodit Elektoral, Paskal Milo mendon se e vetmja rrugë që ka një parti parlamentare, është rruga institucionale.
Ai shkon edhe më tej kur thotë se socialistët duhet të bashkëpunojnë me mazhorancën, duke lënë jashtë interesat personale.
“Grupi parlamentar socialist bën mirë që shkon në Kuvend, sepse në Kuvend është tempulli ku duhet bërë lufta politike. Interesat partiake duhen kaluar në plan të dytë para interesave kombëtare. Nëse duam tashmë që vërtet të mendojmë mbi bazën e interesave kombëtare, atëherë duhet të diskutohen të gjitha ato probleme që kanë mbetur pezull për një kohë të gjatë. Duhet bërë një politikë aktive opozitare në Kuvendin e Shqipërisë”, thotë Milo.
Si një nga të paktët deputetë që votuan kundër ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008, të ideuar nga Edi Rama, Milo shprehet i kënaqur që kryesocialisti ka shfaqur pendesën për këtë gabim siç e quan ai, por ai pozicionohet kategorikisht kundër ndërhyrjes për interesa personale në ligjin themeltar të shtetit.
“Unë besoj se nuk është e mjaftueshme të shfaqet vetëm pendesa. E rëndësishme është që të ketë vullnet politik, për të mos përsëritur të njëjtat gabime. Nëse do të nisemi nga interesa të ngushta partiake për të bërë ndryshime Kushtetuese apo ligjore sa herë që ne mendojmë se përputhen me interesat partiake, atëherë është gabim, prandaj përpara se të marrim vendim, se çfarë ndryshimesh kushtetuese apo të tjera ligjore do të bëjmë, është me shumë interes që shqiptarëve t’u thuhet se më në fund politika shqiptare do të udhëhiqet nga interesa kombëtare dhe jo interesa parciale politike ose partiake”, deklaroi më tej kreu i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.
Duke iu referuar “kursit të ri” politik nga opozita, Milo tha se ende nuk ka një vendimmarrje nga tryeza e partive të opozitës për këtë çështje. Por, ai e akuzon Ramën edhe si të papërgjegjshëm, pasi siç thotë Milo, kryesocialisti ka ndërprerë çdo kontakt me aleatët, që prej humbjes së zgjedhjeve të 8 majit.
Të njëjtin qëndrim me Milon ka shprehur edhe Skënder Gjinushi.
Dy aleatët më besnikë të Edi Ramës, duken gjithnjë e më larg një bashkëpunimi të frytshëm me Partinë Socialiste për “kursin e ri politik” dhe për zgjedhjet parlamentare të 2013-s.