E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, apel opozitës të mos bllokojë integrimin e Shqipërisë në BE

30-08-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto takon ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu përsërit apelin drejtuar opozitës që të mos bëhet pengesë për marrjen e statusit të kandidatit, por t’i bashkohet konsensusit kombëtar që kërkon miratimin e 12 rekomandimeve të Brukselit. Nëse të dyja palët arrijnë konsensusin, thotë ambasadori, objektivi i statusit është lehtësisht i arritshëm

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti dje në një takim, ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në takim u diskutua për situatën politike në vend, për procesin e integrimit në BE, dhe për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që mbahet në shtator.
Pas takimit Haxhinasto tha se në takim është diskutuar për çështje të rëndësishme të axhendës dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së.
“Në kuadrin e konsultimeve të vazhdueshme diskutuam për disa çështje me interes të përbashkët në Asamblenë e ardhshme të Kombeve të Bashkuara”, tha ai.
Kryediplomati shqiptar informoi se në takim është diskutuar edhe për situatën politike në vend, për nevojën e një Pakti Kombëtar për Integrimin, i cili do të ketë si objektiv kryesor zbatimin e planit kombëtar për dymbëdhjetë prioritetet e Komisionit Evropian.
“Kjo do të thotë që të gjitha palët e politikës, të angazhohen në një proces të pakushtëzuar për të respektuar dhe për të zbatuar pikërisht ato prioritete që ka vendosur BE-ja përpara Shqipërisë dhe shqiptarëve, kjo edhe në frymën e rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit. Në këto përpjekje ne kemi mbështetjen e plotë të partnerëve evropianë, por gjithashtu edhe të SHBA-ve të cilët mbështesin në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e plotë  Shqipërisë në BE”, u shpreh zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.
Nga ana e tij, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Arvizu tha se SHBA mbështet procesin e reformave dhe progresin e integrimit Evropian të Shqipërisë. Ai apeloi se për integrimin e vendit nevojitet një konsensus kombëtar mes forcave politike.
“Ashtu siç edhe Ministri tha ne folëm për çështje të rëndësishme të rrugës për integrimin e Shqipërisë në BE. SHBA mbështet fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim. Ajo që ka rëndësi për integrimin është një konsensus kombëtar i nevojshëm. Ajo që do të shtoja është që modalitetet specifike kuptohet që i përkasin Shqipërisë dhe vendeve anëtare. Shqipëria është një vend sovran dhe procesi i integrimit ka të bëjë mes palëve. Por për arritjen e këtij synimi duhet patjetër një konsensus kombëtar. Qeveria është njëra pale, por në këtë kuadër duhet të ketë unifikim të qëndrimit dhe me këtë unifikim objektivat janë shumë të arritshme”, u shpreh Arvizu.
Ambasadori amerikan komentoi edhe publikimet e fundit të Wikileaks për Shqipërinë, duke deklaruar se gjithçka publikohet aty është e pavend dhe e dëmshme.
“Ne nuk bëjmë asnjë koment se çfarë publikohet nga Wikileaks. Çdo gjë që publikohet atje është e dëmshme dhe ne nuk komentojmë asgjë”, tha ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu.

Ambasadori Arvizu
“SHBA mbështet fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim. Ajo që ka rëndësi për integrimin është një konsensus kombëtar i nevojshëm. Ajo që do të shtoja është që modalitetet specifike kuptohet që  i përkasin Shqipërisë dhe vendeve anëtare. Shqipëria është një vend sovran dhe procesi i integrimit ka të bëjë mes palëve. Por për arritjen e këtij synimi duhet patjetër një konsensus kombëtar. Qeveria është njëra pale, por në këtë kuadër duhet të ketë unifikim të qëndrimit dhe me këtë unifikim objektivat janë shumë të arritshme”.

Ministri i Jashtëm, Haxhinasto
“Të gjitha palët e politikës, të angazhohen në një proces të pakushtëzuar për të respektuar dhe për të zbatuar pikërisht ato prioritete që ka vendosur BE-ja përpara Shqipërisë dhe shqiptarëve, kjo edhe në frymën e rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit. Në këto përpjekje ne kemi mbështetjen e plotë të partnerëve evropianë, por gjithashtu edhe të SHBA-ve të cilët mbështesin në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e plotë Shqipërisë në BE”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›