Steinmeier: Korrupsioni në Shqipëri, shqetësim për vlerat evropiane
Zv/kancelari dhe ministri i Jashtëm gjerman, si dhe kryetari interim i SPD, Frank-Walter Steinmeier, pati një takim me drejtuesin e G99, Erion Veliaj dje në Potsdam të Gjermanisë. Veliaj informoi zv/kancelarin Steinmeier mbi synimin e opozitës shqiptare për të aplikuar për statusin e kandidatit kur të marrin drejtimin e vendit në 2009. “Shqipëria nuk mund të mbetet një enklavë joevropiane. Pas Maqedonisë e Kroacisë, statusi i kandidatit po bëhet realitet për Serbinë e Malin e Zi”, tha Veliaj. Steinmeier kërkoi të informohej më tej për ecurinë e hetimeve mbi përfshirjen e qeverisë në tregtinë e armëve, si dhe shprehu shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri pas gjobave që pasuan fushatën elektorale të filluar tashmë nga Berisha me spotet propagandistike. “Këto çështje përbëjnë shqetësim të vërtetë për vlerat evropiane, do t’i ngremë për diskutim në mbledhjen e radhës së ministrave të jashtëm të BE-së”, përfundoi Steinmeier. G99 ka dorëzuar tashmë një listë me shqetësimet dhe skandalet e ditëve të fundit duke nënvizuar se imazhi i qeverisë Berisha, nuk është imazhi i Shqipërisë së vërtetë.