E Diel, 1 Nëntor 2026

Milto Vako, mbrëmje muzikore në 80-vjetor

01/04/2010 Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së mjeshtrit të ansambleve korale prof. Milto Vako është përkujtuar mbrëmjen e së martës në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me një mbrëmje muzikore me pjesëmarrjen e solistëve dhe korit të operës, si dhe artistët e Ansamblit Koral Popullor. Artisti i njohur Milto Vako i takon atij brezi të shquar të artit shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimtarinë muzikore shqiptare. Në periudhën që ka punuar në Teatrin e Operës dhe Baletit, Milto Vako, ka përgatitur premierat e shumë veprave skenike, opera, opereta, etj. Dhe përveç kësaj ka realizuar një aktivitet të ngjeshur dhe intensiv në koncerte të ndryshme me korin e TOB, të Liceut Artistik, të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, etj., jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Me rikthimin e lirisë së besimit dhe rihapjen e institucioneve të kultit, Milto Vako angazhohet pranë Kishës Ortodokse autoqefale me ngritjen e një formacioni. Aktualisht është pedagog i dirigjimit dhe dirigjent i korit i vajzave të Akademisë së Arteve, të cilin e ka themeluar në vitin 1992. I lindur në Pogradec më 30 mars 1930, studimet e para për muzikë i kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitet 1948-1952. Më pas në vitet 1953-1959, kryen studimet e larta për dirigjim koral në Konservatorin “P.I. Çaikovskij” në Moskë, në klasën e V.G. Sokollov. Pas mbarimit të studimeve kthehet në Shqipëri dhe punon në fillim si dirigjent pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Më pas themelon e drejton korin e Liceut Artistik, dhe me krijimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, jep mësimin si pedagog i klasës së dirigjimit. Në vitet 1964-1968 është dirigjent i korit të TOB dhe në vitet 1968 -1973 është udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Pas këtij viti dënohet nga regjimi komunist (në vitet 1973-1975 internohet në Tepelenë; 1975-1982 burgoset; 1982-1991 lirohet, por punon si punëtor). Nga viti 1991 fillon të punojë pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, në fillim si pedagog i korit (1991-1993) dhe më pas si shef i Katedrës së Dirigjimit (1993-2001). Ndër këto çmime përmendim çmimin III, Festivali i Rinisë Botërore, Bukuresht, Rumani (1953)l çmimi I, Festivali i Ohrit (1971), kupa dhe çmimi i parë, Festivali i dytë Internacional në Fiviziano, Itali, 1999 etj. Për aktivitetin e tij prof. Milto Vako është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm, ndër të cilat përmendim Urdhrin “Naim Frashri” të Klasit të Dytë (1968), titullin “Artist i Merituar” (1971) dhe titullin Profesor (1995).

Është anëtar i forumit “Evropa Cantat”, Gjermani, që prej vitit 1996; anëtar i forumit “Texo”, Maqedoni, që prej vitit 1997 si dhe anëtar i “Muzika Korale Ballkanike”, Greqi, që prej vitit 1998. Koret e drejtuara nga ai janë vlerësuar me çmime të ndryshme në shumë vende të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›