E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi, vrasës me pagesë për Canaj

01/04/2010 Mbi 20 persona janë shoqëruar në polici. Vrasja mafioze, deri tani asnjë e dhënë mbi autorin e krimit

Policia heton të kaluarën e biznesmenit të ndërtimit dhe lidhjet e tij me “Grupin e Yzberishtit”

TIRANE- Zbardhja e autorit të atentatit mafioz ndodhur mbrëmjen e ditës së martë ndaj 35-vjeçarit Spartak Canaj, ka bërë që policia të dalë në konkluzionin se ekzekutimi i tij është kryer nga vrasës profesionistë të paguar nga kundërshtarët e viktimës. Hetuesit kanë dyshime se Canaj, është pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Yzberishtit”, bandë kjo që kohët e fundit ka realizuar një sërë vrasjesh në kryeqytet. Sipas grupit hetimor, të ngritur nga policia dhe Prokuroria e Tiranës, realizimi i krimit ka ndodhur me gjakftohtësi nga autori, i cili e ka ruajtur Spartak Canaj për disa orë dhe më pas ka gjetur momentin për ta qëlluar, kur ai ka hipur në automjetin e tij tip “Fiat Punto” të parkuar buzë rrugës afër shkollës “Vasil Shanto”. Hetuesit thanë se 35-vjeçari Spartak Canaj, është qëlluar me 5 plumba pistoletë, ku njëri prej tyre e ka prekur në kokë, ndërsa katër të tjerë i kanë shkaktuar plagë në pjesë anësore të trupit. Lidhur me këtë ngjarje aktualisht asnjë person nuk është ndaluar nga policia, ndërkohë që për të zbardhur identitetin e autorit të krimit, në pyetje janë marrë mbi 20 persona dhe më pas janë lënë sërish të lirë. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes i kanë thënë policisë se kishin parë një person që ishte afruar afër makinës dhe kishte qëlluar me armë, por nuk arritën ta njohin atë. Sipas deklarimeve, autori është larguar në këmbë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke mos u vënë re nga patrullat e policisë. Aktualisht hetuesit janë duke verifikuar me imtësi të kaluarën e viktimës, i cili njihet nga policia si përdorues i lëndëve narkotike, por dhe se në vitin 2005 ai është dënuar nga gjykata e Tiranës për akuzat e rrëmbimit dhe përdhunimit të dy vajzave. Një tjetër pistë ku grupi hetimor po punon për gjetjen e provave është se, 35-vjeçari mund të jetë ekzekutuar nga grupet rivale që veprojnë në Yzberisht. Nisur nga këto dyshime, por edhe nga rrethanat tepër të veçanta të ekzekutimit, mendohet se eliminimin e Spartak Canaj kundërshtarët ia kanë besuar një vrasësi me pagesë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›