E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mimi Kodheli: Do hetojmë paratë e ushtrisë

kodheli82Ministrja e ardhshme e mbrojtjes në një rrëfim të pazakontë për të shkuarën vetjake dhe të nesërmen e saj në krye të institucionit të burrave. SHQUP-i, hetimi i korrupsionit të djeshëm, transparenca dhe vijimësia e asaj çfarë është e pandryshueshme në politikën e shtetit shqiptar. Mimi Kodheli premton: çfarë do të bëjmë për Forcat e Armatosura

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA

Një bisedë me ministren e ardhshme të mbrojtjes nuk është e lehtë. Më saktë është interesante kur flitet për gjëra të përgjithshme dhe e tendosur kur diskutohet për të nesërmen e drejtimit të kësaj ministrie. Mimi Kodheli vjen në një nga baret e njohur të Tiranës më herët sesa koha e fiksuar për takim. Një kohë që gjithsesi shpenzohet me një mori njerëzish të tjerë me të cilët shtrëngon dorën, falenderon me delikatesë për urimet për detyrën e re, por dhe për elegancën e veshjes, pa harruar të shtojë se numri i telefonit të saj personal është po ai i hershmi. Ka ndërruar vetëm aparatin me të cilin nuk është ende e familjarizuar: të vjetrin, siç kishte premtuar, e kishte hedhur e thyer në mbrëmjen e 23 qershorit sapo ishte mësuar se e majta po rikthehej në pushtet. Biseda e saj me revistën Java nuk ishte shumë miqësore si dikur, më shumë se hija e pushtetit të nesërm, tendosja rridhte nga përgjegjësitë e ndryshme të qeverisjes dhe të opozitës. Ishte e sjellshme, por me një vendosmëri që linte të hapur çdo dialog, fundi i secilit prej tyre mund të ishte një Dakord, e lemë këtu, flasim një herë tjetër!.

Ndodhi kështu sepse ndoshta, ideja e intervistimit pa nisur ende punën nuk i pëlqente. Ashtu si dhe vëmendja e shtuar nga tryezat përreth.

Kodheli i mbronte gati-gati me arrogancë bindjet e saj me një kontrast befasues me pamjen e saj dhe me po aq kontrast me mënyrën autoironike me të cilën përmendte moshën.

Ngjante pak a shumë njëlloj me portretin e saj luftarak prej opozitareje të hershme. Por më e përmbajtur. E bindur se çfarë kishte kritikuar dje, nesër do të ishte detyra e saj që ta bënte ndryshe. Ta bënte më mirë.

Jemi të detyruar të jemi shumë më të përgjegjshëm se ata që po ikin. Tani gara jonë nuk është me ta, është me çfarë kemi premtuar, është garë me veten dhe shpresën tonë dhe me shpresat që i kemi rilindur shqiptarëve, thotë ajo.

Ka disa fjalë kyçe që i përmend shpesh: transparenca, afrimi i Forcave të Armatosura me publikun, respektimi i ligjshmërisë kudo e për gjithçka, përfshirë dhe sistemin e ndjeshëm të karrierës së ushtarakut dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatët e NATO-s. Kryesisht amerikanë e britanikë, por dhe me fqinjët.

Nga Gërdeci

Pothuaj katër vjet më parë, në mars 2009, në përvjetorin e parë të tragjedisë së Gërdecit, Mimi Kodheli ishte pjesë e marshimit të organizuar nga PS, një marshim në këmbë nga Tirana drejt kraterit të vdekjes. Pikërisht në buzë të tij ajo foli për makthin e shkaktuar nga politika dhe pafuqia e uniformave ushtarake për të penguar makutërinë e politikës.

Dhe më keq akoma, me përfshirjen e segmenteve të tyre në këtë tragjedi. Atëherë as në ëndrrat e saj më të guximshme nuk ishte përfshirë kjo kthesë e fatit të saj, kur ajo vetë do të jetë brenda pak ditësh, do të jetë zyrtarisht ministre e mbrojtjes. Detyrën e re e ka marrë edhe si një sfidë personale, përfshirë në sfidën politike të maxhorancës së re.

Më shumë se sa çfarë do të bëjë, Kodheli di mirë se çfarë nuk do të bëjë në mënyrë absolute: asnjë shkelje të ligjit! Nuk e fsheh besimin tek vetja.

Në jetë nuk më kanë dhuruar kurrë asgjë që nuk e kam merituar. Madje shpesh më është dashur që për të njëjtin rezultat, të djersij më shumë e të vuaj më shumë se shumë kush tjetër që kishte një marrëdhënie më të mirë se unë me fatin.

Ish-studente me të gjitha notat maksimale, Kodheli përmend të paktën dy herë në bisedë një shprehje të hershme: Nuk mund të bëjë kurrë punë të mëdha në shtet ai që nuk ka bërë më parë punë të vogla!

Dhe të tilla ajo ka bërë shumë më parë.

E di çfarë? Nuk e kisha menduar veten në këtë post, por kur me erdhi propozimi nga kryetari i maxhorancës së re për të qenë ministre e mbrojtjes, e para gjë që mu kujtua ishte se asnjëherë gjatë viteve të mia të studimeve, nuk i jam shmangur zborit ushtarak. Në Tiranë, në ato kohë ishte në modë që të siguroheshin raporte mjekësore për të mos mbajtur automatikët në supe. As prindërit nuk do të ma lejonin një gjë të tillë dhe as unë vetë nuk do tia lejoja vetes shmangien, thotë ajo, me një ndjenjë krenarie për ushtrimin e dikurshëm paranojak komunist të llojit: Gjithë populli ushtar!

Është e vetëdijshme që është e para grua në krye të një dikasteri që nga larg ngjan si pronë ekskluzive mashkullore, por kjo gjë nuk e step. Të paktën kështu thotë.

Kësaj radhe le të shohim pjesën plot të gotës. Lërmë të mendoj për kontrastin. Pastaj pantallonat dhe xhaketat janë pjesa që parapëlqej në garderobën time, thotë ajo.

E shijon autoironinë. E përdor shpesh. Aq sa rrallë e jo shpesh duket sikur përkëdhel veten.

Selia e PD-së

SHQUP-i seli e re e PD-së?. Është shumë e përmbajtur edhe në këtë pikë dhe përdor rishtas një nga fjalët e saj kyç: Do të ketë një përgjigje para së gjithash institucionale, në respekt të ligjit dhe procedurave, do të ketë dhe një përgjigje politike, thotë ajo.

Pa shpjeguar më tej se çfarë do të jetë konkretisht kjo lloj përgjigjeje. Thotë se procedura e zhveshjes së Forcave të Armatosura nga kjo pronë është bërë në kundërshtim me ligjin dhe se politikisht, ajo është një lloj ftese nga luftëtari i palodhur i sherreve politike në Shqipëri, për të tërhequr maxhorancën e re në një konflikt të shpikur.

Ripërsërit një detaj që e ka thënë që në krye të herës kur PD-ja e qeverisë në ikje vendosi të shpërblejë veten me një nga godinat më të rëndësishme të kryeqytetit: firmën e munguar të shefit të shtabit në aktet ligjore që nevojiten. Megjithatë duket se është lënë pezull një surprizë jo fort e këndshme për përfituesit e saj. Është e njëjta mënyrë arsyetimi me atë çfarë do të ndodhë me trashëgiminë e lënë pas në atë ministri. Një nga më të sulmuarat në kohën kur e majta ishte në opozitë për ngritje në sistem të kulturës korruptive. Qoftë me pronat e shumta të Forcave të Armatosura, qoftë me sjelljen ndaj burimeve njerëzore.

Ekzistojnë të gjitha mjetet, mekanizmat dhe instrumentet për të rishikuar të gjitha procedurat korruptive dhe financiare. Qoftë me auditin e brendshëm të ministrisë, qoftë me KLSH-në. Në këtë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›