E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia kërkon Portin e Durrësit

Milloshoski viziton Prishtinën dhe flet për Korridorin e Tetë

Maqedonia ka bërë të ditur nga Prishtina kërkesën ndaj Tiranës zyrtare për një “cak” të sajin në Portin e Durrësit. Pas ridimensionimit të portës shqiptare kryesore për në Adriatik, dhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë-Merdare, shefi i diplomacisë së Shkupit ka kërkuar dje zyrtarisht hyrjen e tij në klubin e vendeve që përfitojnë nga korridori që përfundon në qytetin bregdetar shqiptar. “Ka një interes të përbashkët për të dyja vendet nëse shfrytëzojmë infrastrukturën. Por duhet të punojmë për zhvillimin e Korridorit të Tetë, sepse një shfrytëzim maksimal i portit mund të negociohet, pasi të ndërtohet hekurudha që lidh Shkupin me Durrësin. Ky është prioritet i qeverisë sime për vitet e ardhshme”, u shpreh Milloshoski.

Vizita

Ministri i Jashtëm maqedonas ka vizituar dje Kosovën, ku ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të ambasadës së vendit të tij në Prishtinë. Milloshoski shprehu mbështetjen e Shkupit për tërësinë territoriale të Kosovës dhe u angazhua për ngritjen e marrëdhënieve më të mira në shumë fusha. Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, Milloshoski shprehu përkushtimin e vendit të tij për bashkëpunim të ngushtë me Kosovën në fushën e ekonomisë, transportit dhe energjetikës. Njëherësh ai u zotua për paqe në rajon, si dhe për miqësi e bashkëpunim. "Maqedonia dhe Kosova kanë pozicione të ngjashme për çështjet rajonale. Kemi orientime të përbashkëta për të bashkëpunuar në nivelin bilateral, që si synim do të ketë stabilitet më të madh, paqe, bashkëpunim dhe një zhvillim më të rritur ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor", theksoi Milloshoski, duke ofruar ndihmë për transferimin e përvojave për arritjen e kritereve për liberalizimin e vizave në Kosovë. "Hapja e ambasadës për ne është akt solemn dhe orientues i ri në marrëdhëniet tona", tha Milloshoski. Nga ana e tij, ministri Hyseni theksoi se Kosova dhe Maqedonia do të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë. "Jemi pajtuar që ta intensifikojmë bashkëpunimin. është e rëndësishme që të dyja vendet të përçojnë mesazhe të mira, si një shembull bashkëpunimi sistematik", nënvizoi Hyseni. Ai kërkoi intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, ku të dyja vendet do të kenë përfitime të caktuara. Milloshoski është takuar edhe me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Hapjen e ambasadës së Maqedonisë në Kosovë, Presidenti Sejdiu e vlerësoi si një moment të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve sovrane. "Hapja e ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë është një moment i veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve tona sovrane dhe kemi kënaqësinë që sot në Kosovë vjen ministrin Milloshoski", theksoi Presidenti Sejdiu. Presidenti Sejdiu foli edhe për përvojat e Maqedonisë në rrugën e integrimeve, duke thënë se ato do të jenë të rëndësishme edhe për Kosovën, sidomos sa i përket rrugëtimit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. Duke folur për komunikimin shumë të mirë në mes të dyja vendeve, Presidenti Sejdiu tha se njerëzit e biznesit, të shkencës, të kulturës nga Kosova dhe nga Maqedonia kanë lëvizur edhe më herët sesa politika dhe është me rëndësi që janë krijuar baza të mira të komunikimit dhe strukturë legjislative mbështetëse nga të dyja vendet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›