Berisha në Durrës : 20 milionë dollarë investime për turizmin
Sipas Kryeministrit, gjatë këtij viti priten që afër 3 milionë persona të vizitojnë vendin tonë. Ai mori pjesë në fillimin e punimeve për rikonstruksionin e Muzeut arkeologjik
DURRËS Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka deklaruar nga Durrësi se qeveria e ka rritur në 20 milionë dollarë fondin për investime në fushën e turizmit, shumë kjo më e madhe se vitet e kaluara. Deklarata e Kryeministrit është bërë ditën e djeshme në Durrës, ku ai ka marrë pjesë në fillimin e punimeve për rikonstruksionin e Muzeut arkeologjik. Rikonstruksioni i Muzeut arkeologjik është projektuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe me një investim me vlerë 100 milionë lekë parashikohet ndryshimi i konstruksionit të godinës dhe i ekspozimit të objekteve, sipas standardeve më bashkëkohore. Projekti përfshin edhe ngritjen në ambientet e tij të një biblioteke dhe një salle konferencash. Rikonstruksioni i Muzeut parashikohet të përfundojë në vjeshtën e vitit 2012, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë.
Turistët
Kreu i qeverisë ka theksuar që në fillim se tashmë Shqipëria vizitohet nga më shumë se 3 milionë turistë në vit, ndërkohë që ka nxitur njësitë e qeverisjes vendore që në bashkëpunim me qeverinë të punojnë më shumë për ndërtimin jo vetëm të muzeve historikë dhe arkeologjikë, por edhe atyre etnografikë. Fondi për rikonstruksionin e muzeut arkeologjik është 100 milionë lekë të akorduara nga Ministria e Kulturës. Në lidhje me fondet e akorduara për turizmin gjatë këtij viti kryeministri Berisha është shprehur se “Këtë vit, fatmirësisht, është siguruar një buxhet, më i madhi në tërë historinë e vendit, për zbulimin, kujdesin, restaurimin e monumenteve të kulturës, që shkon rreth 20 milionë dollarë. Por nevojat janë shumë më të mëdha. Ne do mund të ekspozojmë, të promovojmë pasuritë tona të mëdha, kur në çdo rreth Ministria e Kulturës së bashku me qeveritarët vendorë do të marrë vendimet për të ngritur muzetë arkeologjikë, arkeologjikë-etnografikë, të cilët duhet t’u dëshmojnë vizitorëve të gjithë udhëtimin tonë në shekuj e mijëvjeçarë”.
Arkeologët
Më tej në fjalën e tij Berisha ka vlerësuar rolin e arkeologut Vangjel Toçi, si autori i disa zbulimeve të rëndësishme arkeologjike në Durrës. Berisha ka vlerësuar edhe pasuritë etnografike të vendit, duke marrë si shembull zonën e Gramshit, një zonë jo shumë e shquar për turizmin, por për pasuritë e mëdha të kostumeve që gjenden në fshatra të ndryshëm të kësaj zone. Durrësi është cilësuar si promotor i zhvillimit të turizmit, pikërisht për rëndësinë dhe kulturën që mbart mbi vete qyteti me një histori mbi tre mijë-vjeçare. Fjalimin e vet kryeministri Sali Berisha e ka mbyllur duke iu rikthyer edhe një herë pasurive arkeologjike, duke marrë si shembull Bukuroshen e Durrësit. “Këtu është bukuroshja e Durrësit, e rizbuluar nga Vangjel Toçi, është absolutisht Xhokonda në mozaik, bukuroshja e Mesdheut. Dhe të tilla mund të ketë prapë të fjetura”.
Aleks Kalemasi