Miniera e Bulqizës i merr jetën një tjetër minatori
(E PERDITESUAR)- Kol Nikolla: Ne kemi paralajmërua një Gërdec të avashtë në galeritë e Bulqizës. Reagon deputeti I PS-së Erion Braçe: Opozita po merret me veten: Sa bukur ke shkruar
Miniera e Bulqizës ka marrë një tjetër jetë minatori gjatë ditës së djeshme, pas shembjes së një pjese të saj. Pas një shpërthimi të ndodhur pak kohë më parë në këtë minierë, ku ndërroi jetë një minator dhe u plagosën 8 të tjerë, një tjetër incident është shënuar mesditën e së premtes. Një minator ka gjetur vdekjen në galerinë 66 të minierës së Bulqizës pas shembjes së një pjese të kësaj galerie. Fetah Shehu 56 vjeç, ka gjetur vdekjen pas shembjes të një masivi dheu brenda galerisë. Mësohet se 56-vjeçari ishte duke nxjerrë krom në këtë pjesë të minierës e cila ishte e braktisur në momentin ku një masiv dheu është shembur duke e zënë atë sipër. Menjëherë ekipet e kërkim-shpëtimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po bëjnë të mundur edhe nxjerrjen e trupit të minatorit.
Kreu i sindikatave Kol Nikolla ka reaguar për këtë ngjarje duke thënë se e kishin paralajmëruar këtë gjatë grevës së zgjatur të minatorëve. Fatkeqësia e radhës duket se po vjen fatkeqësisht përsëri në Bulqizë. Minatori Feth Shehu ka humbur në zgafellat e Galerisë 66, në zonën famëkeqe D. Kjo galeri u rehabilitua nga grevëthyesit se ishte e braktisur nga ACR. Ne kërkuam bllokim të zonës D, ne paralajmëruam e po paralajmërojmë fatkeqësi, ne paralajmëruam një Gërdec të nëndheshëm dhe të avashtë, shkruan Nikolla në faqen e tij në Facebook në momentet kur akoma nuk ishte mësuar për fatin e minatorit të humbur dje në galerinë D. Ai më tej bën përgjegjës qeverinë që nuk ndërhyn për të parandaluar humbjen e më shumë jetëve të tjera. Ministri ushtar i bindur i oborrit me bllok në dorë na akuzoi se duam të bëhemi pronarë e të sjellim në pushtet opoziten. Jo, ne duam Jetën e punëtoreve të mos e marre askush, shprehet më tej Nikolla, i cili udhëhoqi grevën e minatorëve për kushte më të mira pune.
Ndërkohë edhe deputeti socialist Erjon Braçe ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të shprehur reagimin e tij ndaj kësaj ngjarjeje. Ai ka gjetur vend të kritikojë partinë e tij për mosreagim ndaj vdekjes së minatorit duke bërë madje dhe ironi me librin e fundit të Edi Ramës dhe bujës që ka shkaktuar ai në media. Fetah Shehu-55 vjeç, kryefamiljar, banues në Fushë-Bulqizë, me profesion minator, humbi jetën sot në mesditë në një prej galerive të zonës D në minieren e Bulqizës. Galeria tregohet në grupin e “galerive te braktisura” por në fakt administrohej forcërisht nga një prej gangstereve të zonës që kontrollojnë galeritë me krom. Vdekja e sotme dëshmon edhe një herë për situatën totalisht jashtë kontrollit në minierat e Veriut por edhe kontrollin e plotë dhe jashtë çdo parametri sigurie të galerive nga çdo individ i fortë që i zapton ato! Mbi të gjitha, vdekja e sotme dëshmon për zhvatjen në vijim te pasurive kombëtare nga nje grusht banditësh që shfrytezojne barbarisht deri ne vdekje krahun e punes se cdo bulqizaku ne nevoje per te jetuar!!! shkruan Braçe, duke shprehur indinjatën e tij ndaj kësaj ngjarjeje tragjike. Ai më tej gjen vend për të kritikuar partinë e tij pse heshti gjatë ditës së djeshme. Ah po! opozita nuk ka reaguar akoma. Është e zënë duke përkedhelur veten: o sa bukur ke shkruar!! a sa bukur e ke thënë!! sfidat e tua si sfidat e Obamës!! e kupton apo jo, jam fitues, më vunë në asamble, tani do i fshijmë të gjithë!!, ironizon Braçe për partinë e tij.
