E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat në Athinë: Një trashëgimi rajonale



Trashëgimia kulturore do të shndërrohet në një trashëgimi rajonale. Është vendosur kjo nismë, në takimin e Këshillit të Ministrave të Kulturës të vendeve të Evropës Juglindore, që u mbaj në Athinë. Pas diskutimeve të projekteve të prezantuara nga secili vend pjesëmarrës, sugjerimeve për një plan veprimi më efikas, konkret dhe të realizueshëm, në fund u ra dakord mbi tekstin final të Planit të Veprimit për periudhën Prill 2009 – Prill 2010, periudhë kjo që përfshin Presidencën Malazeze të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore. Të gjithë ministrat pjesëmarrës si dhe zyrtarët e tjerë të lartë të pranishëm në takim, përfaqësues të Ministrive të Kulturës, nënshkruan dokumentin e marrëveshjes për Planin e Veprimit, akt ky i vullnetit politik dhe angazhimeve ndaj nismave rajonale. Takimi u përshëndet nga ministri i Kulturës i vendit mikpritës, zoti Antonis Samaras, i cili vlerësoi nismën e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë për krijimin e këtij Këshilli, si dhe veprimtaritë e organizuara në kuadër të këtij Këshilli gjatë Presidencës Shqiptare (v. 2006 – 2007), Presidencës Kroate (v. 2007 – 2008) si dhe gjatë Presidencës Greke.(2008 – 2009). Ministri i shqiptar i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Adrian Turku, në fjalën e tij evidentoi rëndësinë që ka ky Këshill në rajonin e Evropës Juglindore në një kohë kur disa prej vendeve anëtare aspirojnë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Ministri Turku bëri prezent angazhimin e MTKRS në lidhje me zbatimin e Konventave të UNESCO-s, që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale dhe imateriale. Aderimi i Shqipërisë në Konventën e UNESCO-s “Për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike nënujore (Paris 2001)”, ishte një nga informacionet e reja të ministrit shqiptar për ta bërë Shqipërinë edhe pjesë të këtij linku që përfshin resurset nënujore. “Në këtë kuadër, çdo bashkëpunim për kërkime nënujore shkencore dhe përgatitjen e një muzeu nënujor në një hapësirë të përshtatshme gjatë bregdetit Adriatiko-Jonian do të ishte i mirëpritur”, - mësohet të ketë thënë ministri Turku. Si pjesë aktive e shumë iniciativave rajonale dhe evropiane, Shqipëria ka tashmë dy projekte të konsoliduara (Pazari i Korçës dhe Muzeu i Apollonisë), si pjesë e Procesit të Lubjanës-Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore ku mund të thuhet që në këtë mënyrë kontribuojmë të gjithë për vizibilitetin e rajonit tonë nëpër botë. Si rrjedhim i mbështetjes që Ministrat e Kulturës i kanë dhënë në Bukuresht të Rumanisë iniciativës shqiptare për kthimin e shkollës së restaurimit në Tiranë në një qendër rajonale të kategorisë II të UNESCO-s, Turku kërkoi edhe njëherë mbështetjen e ministrave të tjerë për këtë iniciativë, tani që kjo qendër po mbyll me sukses vitin e dytë të funksionimit të saj. Në takimin e këshillimit të ministrave të pranishëm ishin ministrat e Kulturës të Greqisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Serbisë (z. Antonis Samars, z. Ardjan Turku, Branislav Micunovic, Theodor Paleologu, Nebojsha Bradic), zëvendësministri i Kulturës i Bullgarisë (z. Ivan Tokadjiev) si dhe zyrtarë të lartë të Ministrive së Kulturës të Turqisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Austrisë (me statusin e observerit të përhershëm), ambasadori i Maqedonisë në Athinë, si dhe përfaqësues të UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›