Nis aksioni, bizneset në Durrës, në sitë për mjedisin dhe taksat
Një ekip i Task Forcës, ardhur nga Tirana, ka nisur prej dy ditësh krehjen e zonës bregdetare, kryesisht të bizneseve, duke synuar ndryshimin e imazhit dhe krijimin e standardeve evropiane për shërbimet publike. Durrësi ka një vijë bregdetare prej 46 km, duke nisur nga ajo e Currilave, sektori “Teuta” e deri tek Përroi i Agait, ku priten të kalojnë në “sitën” e Task Forcës si dhe të urbanistikës, shëndetësisë për evidentimin e problematikave.
Janë jo pak, por 1200 objekte biznesi të ngritura si pallate dhe lokale që duhet të plotësojnë standarde evropiane, në qoftë se duan të ushtrojnë më tej aktivitetin e tyre. Kjo, për faktin se shumica e tyre deri sot, veç mangësive të cilat lidhen me mosderdhjen e detyrimeve në arkën e shtetit, kanë problematike edhe derdhjen e fekaleve në det. Ndotja e madhe e vijës bregdetare, nga derdhjet në det dhe rërë, duke përdorur gropa septike, duket se ka vënë në alarm institucionet e shtetit, të cilat duan të sigurojnë pastërtinë e bregdetit, njëlloj si tek fqinjët tanë ballkanikë.
Alarmin e kanë dhënë fillimisht banorët e zonave bregdetare, ambientalistët dhe mjekët, por edhe Zyra e Mbrojtjes së Florës dhe Faunës lidhur me ndotjet masive në bregdetin durrsak, por edhe në akuatoriumin portual, duke nisur nga derdhjet e karburanteve e deri tek mbeturinat organike.
Katër institucionet e shtetit, duke grupuar një Task Forcë të vërtetë, kanë nisur nga puna ditët e para të prillit, duke vazhduar aksionin e tyre deri në muajin maj, duke evidentuar borxhlinjtë ndaj shtetit dhe duke nxjerrë shkaktarët kryesorë të ndotjes, e pse jo, edhe duke prishur ndonjë objekt të ligjshëm që prej vitesh ndot ajrin, detin dhe rërën e plazhit. Sipas burimeve zyrtare, aksioni prej dy ditësh ka nisur në terren.
Bregdeti durrsak njihet për nivelin e ndotjes nga ujërat e zeza, por edhe abuzimin me vlerat e kostove në shërbimet publike për pushuesit verorë. Jo më larg se vjet, punonjësit e Policisë Ndërtimore dhe ata të Higjenës, zbuluan “rrjetin” e tubacioneve që derdhte në det ujërat e zeza të dhjetëra pallateve dhe lokaleve, por që u mjaftuan vetëm me këshillime dhe gjoba qesharake, ndërsa në infektiv përfunduan me dhjetëra pushues.
Janë afro 46 km gjatësi vijë bregdetare në Durrës, e cila megjithëse e mbushur me objekte me dhe pa leje, do t’i nënshtrohet kontrollit dhe evidentimit të çdo shkeljeje të bërë nga pronarët e firmave gjatë ndërtimit. Ky ka mbetur si kusht edhe ndaj kërkesës së mjaft turistëve, të cilët kërkojnë para së gjithash higjenë dhe terren të pastër. Drejtuesit e bashkisë shpresojnë se Durrësi do të jetë në sezonin veror 2009, një partner dinjitoz, ashtu si qytet-portet e tjera në Ballkan e Evropë, ku pa dyshim bashkë me resurset ende të pazbuluara të surprizojë pushuesit edhe me higjenën evropiane të bregdetit.