Ministri Flamur Noka: “Shqiptarët e kanë respektuar procesin e liberalizimit të vizave”
Procesi i liberalizimit të vizave dhe respektimi rregullave në këtë drejtim ishin pjesë e raportimit të ministrit të Brendshëm, Flamur Noka në Komisionin parlamentar të Integrimit. Ministri Noka ka deklaruar se shqiptarët i kanë respektuar rregullat e lëvizjes së lirë në zonën Shengen dhe kjo është një histori suksesi. “Nga dita e fillimit të lëvizjes pa viza, deri më sot rezulton se mbi 1. 895. 100 shtetas shqiptarë kanë përdorur pasaporta biometrike për të qarkulluar jashtë vendit. Kurse dinamika e lëvizjes nga Republika e Shqipërisë është mbi 11. 569. 303 shtetas shqiptarë që kanë dalë dhe kanë hyrë në Shqipëri, nga dita e liberalizimit të vizave deri në fund të muajit nëntor”, vlerësoi Noka. Por, sipas tij, pavarësisht masave të marra nuk janë shmangur rastet e azilkërkuesve. “Qeveria është vlerësuar nga BE-ja për masat e marra por pavarësisht masave nuk janë shmangur raste të kërkesave për azil. Problemin e azilkërkuesve e kemi kapur që në gjenezë. Në total, numri shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian deri në fund të muajit nëntor të vitit në vijim është 4213”, deklaroi Noka. Gjithashtu Ministri i Brendshëm ka deklaruar se do të ketë konsultime me opozitën për çështjen e dhënies së shtetësisë me origjinë etnike shqiptare. Ndërkohë, deputeti i PS-së Ditmir Bushati theksoi se nuk mjafton vetëm vullneti i përbashkët shumicë-opozitë për dhënien e shtetësisë. Sipas tij, duhen parë mirë edhe marrëveshjet me BE për çështjen e dhënies së shtetësisë shqiptare.
...