E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit marrin urime nga institucionet dhe partitë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka uruar mësimdhënësit e vendit me rastin e festës së 7 marsit, Ditën e Mësuesit.

“Kam kënaqësinë t’i përshëndes të gjithë mësueset dhe mësuesit në këtë përvjetor të hapjes së shkollës së parë shqipe, të kësaj dite të shënuar historike të kombit shqiptar.

Të gjithë ne përulemi me respektin më të madh për të gjithë mësimdhënësit, për punën e tyre të çmuar të cilën e kanë bërë me përkushtim dhe sakrificë në rrugën e dijes e përparimit të kombit tonë.

Kujtojmë me respekt të thellë të gjithë mësuesit për veprën e tyre atdhetare, të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për shkollën Shqipe. Shpreh admirim të thellë për veprën tuaj humanitare dhe shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë për mësueset dhe mësuesit e sotëm, të cilët pa marrë parasysh vështirësitë, punojnë me përkushtim e zell për arsimin shqip”, theksohet në telegramin e urimit të kryekuvendarit Krasniqi.

Me rastin e Ditës së Mësuesit, urime kanë dërguar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, pastaj kreu i LDK-së dhe i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, Partia e Drejtësisë, Partia Demokristiane e Kosovës, si dhe subjekte tjera politike./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›