E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Genc Pollo: Projekti TAP dhe Boshti i Jugut, prioritete të PD-së për qarkun e Beratit

18-05-2013 / Gazeta 55

Ministri i Inovacionit dhe TIK, njëkohësisht kryesuesi i listës së deputetëve të PD-së për qarkun e Beratit, Genc Pollo, është ndalur në komunën e Kozarës, rrethi Kuçovë, ku ka bërë një takim me strukturat dhe simpatizantët e Partisë Demokratike në këtë zonë vetëm pak ditë nga fillimi zyrtar i fushatës elektorale.
Ministri Pollo ka thënë se dy janë projektet më madhore të Partisë Demokratike për qarkun e Beratit, Boshti i Jugut dhe projekti TAP. “Dy janë projektet strategjike që do ta ndryshojnë jashtëzakonisht qarkun Berat. Në 2009 kemi folur për Boshtin e Jugut. Në atë vit Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk e përmendi Boshtin e Jugut, i cili ishte një rrugë ku do të kalonin të gjithë. Sot Boshti i Jugut po troket në kufirin verior të Kuçovës, sepse tuneli është në përfundim, rruga po vazhdon e po i afrohet Kozares. Ishte mandati i parë që bëri të vinte deri këtu, ndërsa mandati i dytë është mandati i përfundimit të asaj që u nis. Kjo qeveri e solli deri në portat tona e do ta çojë në katër vitet e ardhshme deri në Memaliaj dhe Gjirokastër.
Projekti tjetër strategjik është ai që njihet si TAP-i, që është një investim privat për të cilin ka shtete që lobojnë për të kaluar nga territori i tyre. Për të lobuar për këtë Kryeministri Berisha ka shkuar disa herë në Baku të Azerbajxhanit dhe anëtarët e qeverisë në kryeqytete të tjera në mënyrë që të fitojë segmenti ynë. Nëse ndërtohet rruga paralele me të e sjellë Korçën nga Berati po aq sa sjellë Tiranën Boshti i Jugut.”
Në fund të fjalës së tij, zoti Pollo ka lëshuar edhe akuza për kryesocialistin Edi Rama, i cili u bë pengesë për integrimin evropian të Shqipërisë, sepse mendonte se një gjë e tillë i shërbente më shumë Partisë Demokratike: “Kryesorja është që të mendojmë se Shqipërinë do ta bëjmë vend të zhvilluar, - ka thënë më tej Ministri Pollo, - dhe që të bëhet e tillë Shqipëria duhet të bëjë hapa para drejt integrimit në BE, dhe mund t’i kishte bërë ato hapa përpara nëse ne do të kishim një opozitë normale, mirëpo zoti Rama nuk gjykoi kështu sepse mendonte se përfitonte qeveria sipas tij, ndërsa pasojat i vuajmë ne të gjithë”.
Në këtë takim zoti Pollo shoqërohej edhe nga dy kandidatët për deputetë të PD-së për qarkun e Beratit, Lefter Maliqi dhe Fatbardha Bullari.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›