Mandati i tretë i Berishës, që të mos ndërpriten projektet e nisura

Kryeministri prezanton në Korçë ekipin fitues të koalicionit të Qendrës, Qendrës së Djathtë dhe të Së Djathtës. Berisha: “Të votojmë së bashku për punësim më të madh, për rroga më të mira, për Shqipërinë e Zhvilluar, për Shqipërinë Europiane”
Deklarata/Ramës Korça i duket si Parisi, por ia mbylli dyert e BE
Pas Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit edhe në Korçë merr udhë entuziazmi i fitores së madhe të Partisë Demokratike në 23 qershor. Përmes një mitingu madhështor dhe entuziazmi energjik në sheshin “Shën Gjergji” në Korçës, kryeministri Sali Berisha bëri dje prezantimin e ekipit fitues që do të udhëheqë Korçën dhe të gjithë Shqipërinë, pas 23 qershorit. Shefi i mazhorancës tha se korçarët dhe Shqipëria duhet t’i japin së djathtës mandatin e tretë të qeverisjes për të vijuar projektet e nisura dhe përmbushjen e premtimeve të bëra. Kjo sepse alternativa tjetër, siç tha Berisha, referuar Partisë Socialiste, është alternativa e mashtrimit, mohimit dhe bllokimit. Këtu kryeministri solli në vëmendje bllokimin e statusit të vendit kandidat në BE, nga lidershipi socialist Edi Rama. Duke iu referuar deklaratave të Ramës se Korça i ngjasonte me Parisin, Berisha i kërkoi atij përgjigje për mbylljen e dyerve të BE. “Këtu lindi shkolla shqipe me germat e alfabetit, u shkruajtën traktet e mëdha të shpirtit perëndimor. Ne nuk kemi bërë gjë tjetër, por kokulur kemi mbështetur vlerat perëndimore që ju besoni, por krahu tjetër ka alternativë të vetme akuza, mohime mashtrime, bllokime. Pyesni veten si ka mundësi që ky njeri vjen i thotë Korçës je Parisi ynë, por Korça vërtet të ngjason me Parisin, unë ju them se unë kam miqësi në Francë me familje franceze dhe korçare dhe ka ngjashmëri po ku janë ngjashmëritë, jo vetëm në velenxa, por në aspiratat perëndimore. Atëherë zotëri si ka mundësi që ti e quan Korçën Paris dhe i mbyll asaj dyert e statusit kandidat në BE. Si ka mundësi që bërë gjithçka që shqiptarët të mos marrin vizat, si ka mundësi të lozësh, të marrësh nëpër këmbë shpirtin perëndimor, vlerat perëndimore, si ka mundësi që për 3 ligjet nuk lejon të merret statusi, si ka mundësi që kur do firmosej kontrata më e madhe me BE, marrëveshja e asociim-stabilizimit, t’i urdhërojë Baçin tënd të hynte në parlament me bori e bilbila vetëm për t’i thënë Europës që ky popull nuk e meriton atë. Ndaj dhe një herë ju bëj thirrje ta shndërrojmë 23 qershorin në festën e madhe të vlerave tona të ardhmes tonë. Të votojmë së bashku për punësim më të madh, për rroga më të mira, për Korçën Europiane, për Shqipërinë e Zhvilluar, Shqipërinë Europiane”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se axhenda e mazhorancës është mbështetja dhe interesi i qytetarëve. “Filozofia jonë është e thjeshtë, jemi filozofi e qendrës së djathtë besojmë tek vlerat tuaja themelore, besojmë se janë tokësore dhe hyjnore, besojmë se mbi këto vlera ndërtohet e ardhmja që meritoni. Jemi parti e lirive dhe dinjitetit tuaj. Besojmë se ju me lirinë ekonomike mund të ndërtoni Korçën Europiane. Mbyllim një 4-vjeçar me suksese të padiskutueshme, me vështirësi të pamohueshme, por rezultatet janë të prekshme e reale”, tha ai. Duke kërkuar një mandat të ri, kreu i qeverisë premtoi se në 4 vitet që vijnë do ecet 4 herë më shpejt. “Në 4 vitet që vijmë do bëjmë të harrohen 4 vitet që shkuan. Në 4 vitet që vijnë do ecim 4 herë më shpejt. Ne besojmë tek liritë, kemi bërë gjithçka që ju të lëvizni në kohën më të shpejtë në të gjitha anët. Ju do shkoni në Tiranë për 1 orë më shpejtë dhe pas 1 viti e gjysmë do shkurtohet edhe 30 minuta më shumë me rrugën e re Qafë Plloçë-Qukës. Qëllimi ynë kryesor është që ju të keni punë e të punësoheni, të ndërtoni të ardhmen e fëmijëve tuaj. Ne kemi bërë gjithçka për lulëzimin e biznesit, përgjysmuam taksat e sigurimit, hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale, për punonjësin me pagë deri 30 mijë lekë, tërhoqëm 4,2 miliardë investime të huaja që krijuan dhjetëra mijëra vende pune”, tha ai. Sipas Berishës në mandatin e ri synohet që në vend të ketë rreth 6 miliardë dollarë investime të huaja. Ai shtoi se, në këto 4 vite do shkojë në 7 milionë numri i turistëve dhe vizitorëve në Shqipëri, ndërsa nuk nguroi ta quante vendin tonë një Norvegji të vogël në Ballkan. “Ne duam besimin tuaj që të marrim 6 miliardë dollarë investime të huaja, vetëm dy projektet gjigante, HEC-i i Devollit dhe TAP do jenë së bashku mbi 2 miliard dollarë investime. Për krijimin e vendeve të punës ne bëmë gjithçka për të mbështetur bujqësinë. Ne duam të 3-fishojmë grandet për fermerët e Korçës. 4 vitet që vijnë do kemi 7 milionë turistë dhe vizitorë. Shqipëria është një Norvegji në gadishullin e Ballkanit. Ne kemi burime të pafundme ujore, në sektorin e energjetikës pritet të hapen mijëra vende pune, nga ndërtimi i shumë HEC-ve”, tha ai më tej. Kreu i të djathtëve, Berisha e cilësoi të padenjë gjuhën me të cilën Rama foli për kandidatët e PD. “Ai erdhi këtu me një gjuhë të padenjë dhe etiketoi kandidatët tanë, nuk do përdor asnjë etiketë por vetëm t’ju kujtoj socialistëve të Korçës se kush janë deputetët që ju ka sjellë Rama. Lexoni dokumentet e katarsisit të Fatos Nanos dhe do ta kuptoni. Ju bëj thirrje ta shndërrojmë 23 qershorin në ditën e vlerave tona, së bashku për Korçën Europiane”, tha ai më tej.
Berisha: Prania intensive në media, pasioni im, por në townhall-e njihem me problemet personale të qytetarëve
Kryeministri Sali Berisha deklaron sërish se prania në media mbetet një nga pasionet e tij, por bashkëbisedimi me qytetarët, i quajtur ndryshe “townhall”, i bën të mundur të njihet me problemet personale të gjithsecilit. Nga Korça shefi i ekzekutivit ka përsëritur se në këtë fushatë elektorale, është më aktiv në media se asnjëherë më parë. “Secili nga këto townhall-e është një debat televiziv pa sms-të që marrin nga të katër anët, miqtë e mi analistë të pavarur. Ata janë qytetarë që shtrojnë probleme më mënyrën më të hapur, nga problemet më personale që kanë, padrejtësi sipas mendimit të tyre, deri tek problemet madhore. Sali Berisha nuk ka qenë më aktiv në media, sesa në këtë fushatë”- u shpreh kryeministri, duke përcjellë edhe një mesazh për analistët që “kritikojnë” strategjinë e tij. “Unë kam respektin më të madh për analistët, për moderatorët, për sms-të që marrin, por i siguroj se me shumë kënaqësi janë të ftuar të vijnë në çdo takim shtypi që unë bëj me ju”. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për mundësinë e një debati televiziv me kryesocialistin Rama, shefi i qeverisë tha se ka qenë i hapur kurdoherë, por sipas tij, është lideri i opozitës si që nuk ka pranuar. Ndërkohë sa i takon Ilir Metës, kryeministri tha se ai sillet herë si në qeveri, herë si në opozitë, duke shfaqur së fundmi edhe ambicien për një debat televiziv me kryeministrin. “Përsa i përket debatit, tani më kërkon debat edhe zoti Meta. Të bëjë një tentativë, të më takojë pastaj ta studioj. E kam ftuar dy herë dhe ai refuzonte. Unë kryeministër e ftoja dhe ai thoshte jo, e mbante hundën në qiell. Hundën në qiell, por pastaj në tokë, rezultati. Tani del edhe aleati dhe do debat. Të zgjidhin një herë, ca probleme njëri me tjetrin. Unë kam respekt për kundërshtarin. Por zotit Meta dua t’i them një gjë. Nuk mundet që një ditë flet si qeveri, një ditë si opozitë. E keni konstatuar këtë? Ndaj i kanë ca probleme të brendshme adaptimi, por gradualisht do adaptohen” - theksoi Berisha.
...