E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Hyseni viziton Shkupin

Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Antonio Milloshoski, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni, do të qëndrojë këtë të premte për një vizitë zyrtare në këtë vend fqinj.

Kjo është vizita e parë zyrtare e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë. Kosova dhe Maqedonia i vendosën marrëdhëniet diplomatike, muajin e kaluar, pas zgjidhjes së çështjes së demarkacionit së kufirit. Ndërkohë që ky vendi fqinj e kishte njohur pavarësinë e Kosovës, para më shumë se një viti.

Gjatë qëndrimit në Shkup, ministri Hyseni, përveç takimit me ministrin Milloshoski do të pritet edhe nga presidenti maqedonas, Georgi Ivanov dhe kryeministri Nikolla Gruevski, bën të ditur MPJ e Kosovës, nëpërmes një njoftimi për shtyp.

Gjithashtu, ministri Hyseni do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›