Ministri Jashtem kinez viziton Tiranen

Për të përcaktuar piketa konkrete në këtë fushë, në Tiranë ndodhet për një vizitë zyrtare, Ministri i Jashtëm kinez, Yang Je Çi.
Bashkë me homologun shqiptar, Edmond Haxhinasto ata vunë theksin së pari tek klima politike mes dy vendeve, të cilën e përkufizuan si të shkëlqyer, por që sipas tyre duhet përkthyer në bashkëpunim më të gjërë ekonomik.
Kina është partneri i tretë i rëndësishëm për Shqipërinë në shkëmbimet tregtare pas Italisë dhe Greqisë. Dhe tani që dy vendet fqinje janë në situatë të vështirë ekonomike, për Shqipërinë eksport-importi me Kinën dhe investimet kineze janë shumë të rëndësishme.
Dy ministrat e jashtëm konfirmuan pas takimit të tyre se janë piketuar fusha konkrete të bashkëpunimit dhe janë gjetur mekanizmat për realizimin e këtij bashkëpunimi në energjitikë, infrastrukturë, në pasuri natyrore dhe turizëm, fushë në të cilën dy vendet firmosen edhe një marrëveshje të përbashkët.
Ministri i Jashtëm kinez Yang Je Çi garantoi se pala kineze, përvec përfshirjes së qeverisë, do të inkurajojë edhe biznesin kinez për të investuar në Shqipëri.
Ndërkohe, Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, i pyetur nga media kineze për një liberalizim të mundshëm të vizave me Kinën, duke shprehur optimizëm tha se pas lehtësimit të disa procedurave për marrjen e vizave, heqja e vizave me Kinën është në rrugë të mbarë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp u fol pak për politikë, por Ministri i Jashtëm kinez vlerësoi rolin e Shqipërisë për stabilitetin e rajonit.
Kina është një nga 5 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit në OKB me të drejtë vetoje, që ende nuk e ka njohur Kosovën dhe që përkrah dialogun bazuar në rezolutat e OKB-së.
Megjithatë, në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme shqiptare theksohet se zoti Haxhinasto i ka përsëritur homologut të tij kinez kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar këtë akt një kontribut në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.