Ministri Lleshaj hedh poshtë pretendimet e PD për listat zgjedhore

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka hedhur poshtë pretendimet e PD, sipas së cilës, “po ndryshohet ligji për Gjendjen civile për të manipuluar zgjedhjet e 25 prillit”. Zoti Lleshaj deklaron se nuk ka asnjë ankesë konkrete, dhe se “nuk ekziston asnjë mundësi që dikush të luajë me listat e zgjedhjeve”.
“Asnjë pasiguri apo frikë parazgjedhore nuk justifikon përpjekjet për dezinformim të publikut nga aktorët politikë. Që nga fillimi i muajit tetor 2020, janë publikuar 2 ekstrakte të listave zgjedhore, të cilat janë afishuar në të gjitha bashkitë, si dhe janë të aksesueshme tek portali e-Albania. Asnjë ankesë konkrete për “lëvizje nga qendrat e votimit” nuk është provuar deri tani. Dhe kështu do të vijohet deri në fund. Asnjë mundësi nuk ekziston që dikush të luajë me listat e zgjedhësve”, shkruan Lleshaj.
Sipas ministrit, ata që e kanë bërë vetë dikur këtë gjë dhe tani druhen se mos kjo gjë do të përsëritet nga ne.
“Duhet të jenë të qetë dhe të qartë: ASNJË qytetar nuk mund të lëvizet drejt një adrese të re zgjedhore jashtë vullnetit të tij dhe jashtë përcaktimeve ligjore. ASNJË“, thuhet në postimin e ministrit të Brendshëm. /rtsh.al