KQZ i përgjigjet PD, në lidhje me kërkesën për përdorimin e kamerave monitoruese në qendrat e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i është përgjigjur Partisë Demokratike, në lidhje me kërkesën për përdorimin e kamerave monitoruese në qendrat e votimit dhe vendeve të numërimit të votave. Nëpërmjet një letre zyrtare, KQZ bën me dije se është duke u bërë vlerësimi mbi kostot e mundshme financiare, e po ashtu, edhe aspektet teknike të këtij projekti.
“Për momentin në kuadër të realizimit të projektit të vëzhgimit me kamera të qendrave të votimit dhe të vendnumërimit të votave, jemi duke bërë vlerësimin mbi kostot e mundshme financiare të këtij projekti si dhe një vlerësim të aspekteve teknike të tij”, thuhet në Letrën e KQZ-së.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, i dërgoi një shkresë KQZ, ku kërkoi marrjen e masave për instalimin dhe përdorimin e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. /rtsh.al