Ministri Olldashi inspekton punimet ne portin e Durresit
Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi vlerësoi faktin se viti 2012 do të jetë vendimtar për portin detar të Durrësit. Këtë deklaratë ministri Olldashi e bëri pas përfundimit të inspektimit të punimeve të rikonstruksionit në kalatën lindore të këtij porti. Në fjalën e tij, Olldashi tha se brenda këtij sezoni do të përfundojë rikonstruksioni i kalatës nr. 10 si dhe ai i terminalit të udhëtarëve. Ndërkaq, do të nisin edhe punimet e thellimit të kanalit hyrës dhe basenit, çka do të mundësojë hyrjen në portin detar të anijeve me kapacitet 30-40 mijë ton. Punimet aktuale në port, që arrijnë vlerën e investimit prej 28 milionë euro, mbështeten nga privatizimi i shërbimeve si dhe dhënia me koncesion e terminalit të kontenjerëve, çka përbën një paketë tërësore të ndryshimeve pozitive në këtë infrastrukturë gjigande të vendit.“Perfomanca shumë e mirë financiare e APD na lejon që vlera e investimeve të qeverisë shqiptare të dyfishohet me financimet e vetë portit detar”, tha më tej ministri Olldashi. Kalata lindore, e njohur si kalata nr 10, po rikonstruktohet me financimin prej 8 milion euro nga autoriteti portual. Punimet pritet të përfundojnë në fillim të muajit qershor të këtij viti.