Ministri Pollo: “Shpresojmë që ulja e pritshme e tarifave të terminimit të shoqërohet me uljen domethënëse të çmimeve të përdoruesit të celularit”
“Çmimet e përdoruesit të telefonit celular nuk janë një faqe e lavdishme në historinë e kompanive mobile në Shqipëri. Në këto 10 vite shqiptarët kanë paguar për celularët e tyre çmime, te cilat të krahasuara me koston, kudo në botë do të ishin quajtur skandaloze. Megjithë uljet e çmimeve në 2-3 vitet e fundit, përsëri celularët tek ne kushtojnë më shumë se në Ballkan dhe në Evropë” deklaroi sot z. Genc Pollo Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit.
“Një analizë e tregut e ndërmarrë nga rregullatori (AKEP) indikon se normat e fitimit të operatorëve mobilë me fuqi të ndjeshme në treg janë jonormale dhe joetike, sidomos kur mbështetet në superçmime për qytetarët e një vendi ku ka ende varfëri.” shtoi ai.
AKEP, bazuar në këtë studim tregu, ka hapur një konsultim publik për një reduktim të tarifave të terminimit të operatorëve mobilë.
“Shpresoj që operatorët të jenë bashkëpunues dhe që një ulje e pritshme e tarifave të terminimit të shoqërohet me uljen domethënëse të çmimeve të përdoruesit”- theksoi ministri Pollo.
13/01/2011