Ministri Pollo në Kosovë, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e TIK mes Shqipërisë dhe Kosovës
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes Ministri Pollo tha për mediat: “Është një privilegj për mua që po nënshkruaj këtë marrëveshje në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit, e cila do të transformojë jetën e shoqërisë dhe e bën më efektive administratën publike.
Tirana dhe Prishtina do të bashkëpunojnë edhe në kuadrin e organizatave ndërkombëtare si ITU (International Telecommunication Union), në mënyrë që të kapërcehen vështirësitë e ndryshme që Kosova njeh në procesin diplomatik të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Një prej çështjeve është edhe prefiksi kombëtar i Kosovës, si dhe kontributi që Shqipëria mund të japë, duke kërkuar rrugëzgjidhjen e përshtatshme bazuar në legjislacionin kombëtar me rregullat ndërkombëtare në këtë fushë.”
Ndër objektivat e kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit janë vendosja e marrëdhënieve bashkëpunuese ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim koordinimin e përpjekjeve në rrafshin shtetëror dhe ndërkombëtar, si dhe burimeve teknike, financiare dhe njerëzore për zhvillimin e bashkëpunimit teknologjik, gjetjen e zgjidhjeve për tejkalimin e vështirësive në fushën e TIK dhe aktiviteteve inovative, si dhe asistencës, konsultimit dhe shërbimeve për trajnimin teknik, që adresojnë formimin e burimeve njerëzore në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit.
Ndër fushat specifike të marrëveshjes së bashkëpunimit vlejnë për tu përmendur:
a) Koordinimi dhe bashkëpunimi për harmonizimin e shfrytëzimit të shpërndarjes të frekuencave radio (kanaleve) në brezat kufitare ndërshtetërore;
b) Koordinimi i aktiviteteve që kanë të bëjnë me trajtimin e çështjes së kodit shtetëror të telefonisë në Kosovë;
c) Angazhimi i përbashkët për zvogëlimin e tarifave të Roaming bazuar në Rregulloren e Këshillit Evropian për Roaming të datës 13 qershor 2012.
d) Shkëmbimi i eksperiencës në fushën e NSDI (National Spatial Data Infrastructure).
e) Ndihma reciproke lidhur me domenin shtetëror (ccTLD);
f) Shkëmbimi i përvojave në implementimin e projekteve të e-Qeverisjes (G2G, G2B, G2C);
g) Shkëmbimi i përvojave në dizajnimin, avancimin dhe editimin e vazhdueshëm të e-Portaleve shtetërore;
h) Gjithashtu do të krijohen edhe grupe të përbashkëta pune të palëve, të cilët do të specifikojnë mënyrën dhe modalitetet e veprimtarive të tyre në kuadër të kësaj marrëveshjeje.
Gjatë vizitës së tij në Prishtinë Ministri Pollo takoi edhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Z. Jakup Krasniqi.
19/03/2013