E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron gjimnazin “Isa Boletini” në komunën Paskuqan, në Tiranë, një investim me vlerë 180 milionë lekë

- Arsimi është dhe do të mbetet leva më kryesore në punësimin e qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimin e vendit

Kryeministri Berisha inauguroi sot gjimnazin “Isa Boletini” në komunën Paskuqan, në Tiranë, një investim me vlerë 180 milionë lekë dhe i realizuar në kuadër të programit Cilësi dhe Barazi në Arsim (CBA). Ky projekt është financuar nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka e Këshillit të Evropës dhe Banka Evropiane e Investimeve.

Gjimnazi “Isa Boletini” ka një kapacitet për 1400 nxënës dhe ofron për ta mjedise mësimore e sportive të një niveli të lartë bashkëkohor. Shkolla ka 24 klasa, 4 laboratorë (informatikë, fizikë, kimi, biologji), bibliotekë, palestër moderne të mbyllur, si edhe mjedise të tjera ndihmëse.

Investimet në komunën e Paskuqanit, për periudhën 2006-2013, arrijnë shifrën 1.8 miliardë lekë dhe përfshijnë sektorë të ndryshëm, si infrastruktura, shëndetësia, arsimi, ujësjellës - kanalizime, etj.

Kryeministri Berisha i uroi nxënësit dhe mësuesit për shkollën e re, ndërsa theksoi se fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë në shkollat më moderne. Kryeministri tha se arsimi ka qenë përparësia më madhore e kësaj qeverie dhe po ecet me shpejtësi drejt vendosjes së Shqipërisë në shinat e dijes, pasi vetëm Shqipëria e dijes do mund të ketë ekonominë e vendeve të zhvilluara dhe do mund të jetë një vend i zhvilluar. “Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt përqindjeve më të larta të qytetarëve të saj që do të kenë mbaruar shkollën e mesme, drejt përqindjeve më të larta të qytetarëve të saj që do të kenë mbaruar shkollën e lartë. Në këtë mënyrë, ecim të sigurt drejt një punësimi masiv të qytetarëve shqiptarë”, tha Kryeministri.

Kryeministri theksoi se arritjet e deritanishme janë shumë inkurajuese dhe se investime shumë më të mëdha do të bëhen në katër vitet që vijnë në arsimin e përgjithshëm, në arsimin profesional dhe atë universitar.

Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se në krye të katër viteve rrogat e mësuesve do të jenë 700 dollarë. “Ne do t’i rrisim pagat dhe kemi në axhendën tonë përparësi madhore mësuesen dhe mësuesin, sepse kemi bindjen më të thellë se çdo qindarkë e investuar në arsim, e investuar për kualifikimin e mësuesve, për përgatitjen e tyre është investim i sigurt për të ardhmen tonë”, tha Kryeministri.

“Ne, - theksoi Kryeministri, - kemi bindjen se arsimi është dhe do të mbetet leva më kryesore në punësimin e qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimin e këtij vendi”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti ministër,

I nderuar zoti kryetar i Komunës së Paskuqanit,

Të dashur nxënëse dhe nxënës,

Qytetare dhe qytetarë të Paskuqanit,

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju uroj në inaugurimin e kësaj shkolle, ndër më të bukurat, më të mëdhatë e më modernet në Shqipëri. Shkolla që sapo inauguruam është një investim me vlerë 180 milionë lekë, me një koncept ndër më modernët, e pajisur me të gjithë laboratorët, me një palestër madhështore. Me shumë kënaqësi mësova se nxënësit e kësaj shkolle morën vendin e parë në Olimpiadën e Matematikës në nivel qarku.

Të dashur nxënës dhe mësues të shkollës “Isa Boletini”,

Kjo shkollë mban emrin e një prej personaliteteve më të shquara të historisë sonë kombëtare, emrin e tribunit popullor, të udhëheqësit legjendar të kryengritjeve të shqiptarëve, Isa Boletinit. Si kjo shkollë, në Paskuqan, në Kamzë dhe në mbarë Shqipërinë, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla edhe jemi të angazhuar për ndërtimin dhe rindërtimin e çdo shkolle, kudo që ajo ndodhet. Fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë në shkollat më moderne. Gjatë këtyre viteve investimet në arsim kanë qenë më të mëdha se kurrë ndonjëherë më parë. Gjatë këtyre viteve, arsimi ka qenë përparësia më madhore e qeverisë sonë. Në këtë kontekst, rezultatet kanë shumë inkurajuese. Sot, 92 përqind e nxënësve që mbarojnë klasat e 9-ta ndjekin shkollën e mesme dhe 72 përqind e atyre që mbarojnë maturat ndjekin universitetet.

Ne po ecim me shpejtësi drejt vendosjes së Shqipërisë në shinat e dijes. Vetëm Shqipëria e dijes do të mund të ketë ekonominë e vendeve të zhvilluara dhe do mund të jetë një vend i zhvilluar. Shkolla dhe dija është e lidhur më shumë se çdo gjë tjetër me punën dhe punësimin e qytetarëve të vendit. Një i shkolluar ka shanse dy herë më të mëdha për punësim në një shoqëri të lirë sesa një i pashkolluar. Një i shkolluar ka jo vetëm shanse dy herë më të mëdha për punësim, por garanton, gjithashtu, një vend pune dy herë më të paguar sesa një i pashkolluar. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt përqindjeve më të larta të qytetarëve të saj që do të kenë mbaruar shkollën e mesme dhe drejt përqindjeve më të larta të qytetarëve të saj që do të kenë mbaruar shkollën e lartë. Në këtë mënyrë, ecim të sigurt drejt një punësimi masiv të qytetarëve shqiptarë.

Arritjet e deritanishme janë shumë inkurajuese, por përsëri një rrugë jo të thjeshtë kemi përpara. Investime shumë më të mëdha do të bëjmë në katër vitet që vijnë në arsimin e përgjithshëm, në arsimin profesional, në arsimin universitar. Ne do të bëjmë gjithçka që ata që mbarojnë shkollat të kenë mundësinë e kualifikimit, të trajnimit të vazhdueshëm në çdo degë që ata duan. Ne do të bëjmë gjithçka që ata të paguhen më mirë për punën që do të bëjnë. Ne u premtojmë mësuesve se në krye të katër viteve rrogat e tyre do të jenë 700 dollarë. Ne do t’i rrisim ato dhe ne kemi në axhendën tonë përparësi madhore mësuesen dhe mësuesin, sepse kemi bindjen më të thellë se çdo qindarkë e investuar në arsim, e investuar për kualifikimin e mësuesve, për përgatitjen e tyre është investim i sigurt për të ardhmen tonë. Ne kemi bindjen se arsimi është dhe do të mbetet leva më kryesore në punësimin e qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimin e këtij vendi. Vetëm një shoqëri e shkolluar do të mund të marrë investimet më të mëdha vendase dhe të huaja; do të mund t’i përshtatet me shpejtësi kërkesave të tregut të punës, vetëm një shoqëri e shkolluar do të mund të krijojë vlera më të mëdha në ekonominë e vendit se çdo shoqëri tjetër.

Në katër vitet që lëmë pas arsimi, i cili po rrokullisej në një degradim të vërtetë, ka një ndryshim rrënjësor. Mësuesit sot paguhet 120-140 përqind më shumë. Askush nuk largohet më nga sistemi arsimor. Shkollat, në të katër anët e vendit, janë pajisur me internet. Nga 40 shkolla që kishin internet më parë, sot të gjitha shkollat vendit kanë internet. Në katër vitet që vijnë, ne jemi të vendosur që jo çdo shkollë, por çdo klasë të ketë internet; jemi të vendosur që çdo shkollë të ketë laboratorët më modernë; jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të rritur numrin e nxënësve në arsimin profesional; jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mbajtur nivelet më të larta të ndjekjes së shkollave të mesme dhe shkollave të larta.

Të dashur nxënës dhe mësues të shkollës,

Edhe një herë ju uroj gëzuar këtë shkollë dhe ju garantoj se investime të tjera të mëdha do të jenë së shpejti në komunën tuaj, ku ne kemi ndërtuar 21 kilometra rrugë, 4 ujësjellës, 3 qendra shëndetësore. Përsëri nevojat tuaja janë të mëdha, përsëri investime të tjera më të mëdha do të bëjmë, në mënyrë që Paskuqani të shndërrohet në një nga qytetet më moderne të vendit.

Gëzuar shkollën dhe suksese!

Faleminderit!”


20/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›