E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Ruli i kunderpergjigjet deklaratave te PS

Qeveria ka investuar në një logjikë të qartë dhe të mirë studiuar për t`i ardhur në ndihmë bujqësisë. Kështu, u shpreh gjatë një vizitë në zonën e Fierit, ku dhe u panë nga afër punimet në disa projekte të ndryshme infrastrukturore, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ku vlerësoi se efektet e ndërhyrjeve kanë qenë të menjëhershme në mbrojtjen e tokave. Ministri Genc Ruli tha se logjika e ndërhyrjeve në infrastrukturën e kullimit, ujitjes dhe mbrojtjes së tokave ka qenë në vijimësi të prioriteteve të qeverisjes aktuale. Duke marrë shkas dhe nga disa deklarata të bëra së fundmi, ministri i Bujqësisë tha se impakti i projekteve të qeverisjes aktuale ka qenë shumë i madh.
“Mua më vjen mirë që kryetari i opozitës ka pasur më së fundmi prononcim konkret për prioritetet që mund të ndjekë PS në fushën e bujqësisë, duke cilësuar si të tillë ndërhyrjen në ujitje dhe kullim. Më vjen mirë, dhe jam i bindur se kjo fjalë e thënë  me vonesë nga ana e tij vjen nga kuptimi i mirë që i ka bërë ai politikave tona këto vite. Ne kemi pasur një qartësi të prioriteteve tona në sektorin bujqësor, prioritetet gjatë mandatit të parë 2005-2009 dhe gjatë mandatit të dytë kanë qenë rrugët rurale, me një fond shumë herë më të madh se ai i realizuar gjatë qeverisjes socialiste, sepse rrugët i japin jetë dhe mundësi fshatit të lidhet  me tregjeve. Ndërkohë kemi vazhduar në fushë e ndërhyrjeve në kullim dhe ujitje, me projekte shumë më efektive se ato të bëra në periudhën e qeverisjes socialiste 1999-2005, projekte që vuanin nga gjigandomania, projekte që në qeverisjen socialiste kishin të madh vlerën e prokurimit, por  shumë të pakët impaktin e tyre. Faktikisht kemi trashëguar nga ata kanale të ndërtuara pjesërisht, ose kanale të ndërtuara pa pasur burimin ujor përkatës, hidrovorë që sot janë të braktisur sepse kane qenë   të panevojshëm, por me vlerë investimi shumë të mëdha, rreth 1 milionë dollarë secili prej tyre. Ne jemi drejtuar te projektet që kanë impakt të menjëhershëm, si në mbrojtjen e tokave por dhe ne ujitjen e tyre. Kryeministri Berisha ka deklaruar që një vit më parë, që duke ndjekur një logjike të qartë prioritetesh mandati tjetër do të jetë mandati i ndërhyrjeve të mëdha në sistemin e ujitjes dhe kullimit. Unë uroj që zoti Rama të na dëgjojë në prioritetet që ne vendosim, sepse politikat tona kanë qenë shumë më realiste dhe të studiuara se sa ato që mund të merrte natyrshëm model qeverisja socialiste”, - tha ministri Ruli.
Duke dhënë detaje për zonën e Fierit, në inspektimet e punimeve që po bëhen për pastrimin edhe thellimin e kanalit të ujërave të larta Levan –Pojan, ministri tha se: “Vlera e fondeve për këtë viti që ka pasur zona e Fierit qoftë për shpenzime kapitale qoftë si fonde që i japim Bordit të Kullimit është rreth 100 milion lekë, dhe kjo vlerë është konsistente. Këto investime janë mëse të rëndësishme për këtë zonë bujqësore. Projektet tona kanë qenë ndërhyrje efektive dhe po ndërhyjmë në një kanal shumë të rëndësishëm, në kanalin e ujërave të larta Levan –Pojan, kanal që mbron rreth 10 mijë hektarë tokë, ku nuk ishte ndërhyrë prej mëse 25 vitesh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›