E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri Vengu: Modernizimi i Forcave të Armatosura ka pesëfishuar kërkesat për rekrutime në 12 vitet e fundit

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se, investimi në kapacitete njerëzore, infrastrukturë dhe modernizimin e forcave të luftimit, përfshirë fuqinë e zjarrit, helikopterët dhe dronët luftarakë, ka pesëfishuar kërkesën për rekrutime në 12 vitet e fundit.

Sipas tij, kjo reflektohet edhe në nivelin e lartë të interesit për trajnimet për ekuipazhet e rinj të helikopterëve Black Hawk.

“Me ndihmën e aleatëve amerikanë dhe në bashkëpunim me trupat Komando, pilotët dhe teknikët e helikopterëve Black Hawk po trajnohen për t’u angazhuar në operacione ushtarake, me qëllim që në vitin 2026 të jenë të gatshëm për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare të drejtuara nga NATO”, shkruan Vengu.

Ministri i Mbrojtjes thekson më tej se ekuipazhet po aftësohen për përdorimin shumërolësh të helikopterëve, nga infiltrimi ajror në zona të banuara dhe imbarkimi në anije, e deri te operacionet e kërkim-shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›