E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri gjerman: Të rinisë dialogu politik

Gjermania i kërkon klasës politike në Shqipëri që të zgjidhë vet problemet mes vetes. Ministri gjerman i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Dirk Niebel, nisi dje vizitën e tij dy ditore në Shqipëri, teksa zhvilloi bashkëbisedime me kryeministrin Sali Berisha dhe me kreun e opozitës Edi Rama. Zyrtari gjerman garantoi se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në investime private, në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe pika të tjera, që sipas tij do të rritin cilësinë e jetesës në vend. Interesit të medias, në lidhje me situatën politike në Shqipëri, Niebel ju përgjigj se “si ministër i një vendi anëtar të BE, më lejoni të theksoj se në kuadër të bashkëpunimit tonë mbështesim Shqipërinë për integrimin në BE, por them se thelbin e këtij procesi duhet ta përcaktojë vetë Shqipëria”. Në vlerësimin e Niebel, Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por tempin dhe ritmin e këtij procesi do e përcaktojë vet Shqipëria. “Patëm mundësi të vinim theksin rreth faktit që është e rëndësishme bashkëjetesa paqësore. Të rinisë dialogu politik në vend. Një bashkëjetesë paqësore është kusht për zhvillimin ekonomik të vendit. Këto biseda që zhvilluam, ishin dialogje të hapura dhe miqësore”, nënvizoi Niebel. Ai i mëshoi idesë se bashkëveprimi midis qeverisë dhe opozitës është një element i rëndësishëm i demokracisë së një vendi. “Ne mbështesim shqiptarët për integrimin, por luhatjet politike duhen zgjidhur nga vetë shqiptarët”, këmbënguli Niebel. Ministri Niebel citoi dhe një thënie të një psikologu, sipas tij të njohur, që thotë se “këshillat ndonjëherë mund të jenë dhe goditje”. Më herët, Niebel u prit nga kryeministri Berisha. Zyra për shtyp e kryeministrit bën të ditur në një njoftim për shtyp se që në fillim të takimit, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Niebel falënderimet e thella për ndihmën që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë në 20 vitet e fundit, duke mbështetur reformat transformuese të Shqipërisë, si dhe për ndihmën e vazhdueshme në procesin e integrimit europian. Kryeministri theksoi se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane janë një histori e vërtetë suksesi në Shqipëri. Niebel theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një tregues domethënës i progresit që ka bërë Shqipëria, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi i Shqipërisë me Gjermaninë nuk është më thjesht si me një vend donator, por është një marrëdhënie mes partnerësh. Zyrtari gjerman takoi edhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, me të cilin u fol për situatën politike dhe sfidat që shoqërojnë vendin në rrugën drejt integrimit europian. Ministri Niebel, nga ana e tij shprehu interes mbi pikëpamjet e opozitës për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit, si dhe hapat që duhet të ndjekë Shqipëria në rrugën e zhvillimit europian. Gjithashtu Rama bëri një ekspoze të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke bërë të njohur qëndrimin e PS në lidhje me situatën aktuale. Një tjetër pikë për të cilën u fol në takim ishte demokracia në vendin tonë dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës. Rama shkëmbeu pikëpamjet e PS me deputetët e Bundestagut Gjerman, që merrnin pjesë në takim. Takimi zgjati për më shumë se një orë dhe të pranishëm ishin Mimi Kodheli dhe Ditmir Bushati, deputetë të PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›