KQZ hap sot kutitë e Finiqit, PBDNJ e PD kërkojnë pavlefshmëri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të hap sërish sot kuti votimi. Zgjedhjet për pushtetin vendor, të përsëritura ditën e dielë në nëntë komuna, u shoqëruan me parregullsi të shumta, çka ka detyruar palët në këtë proces të vijojnë procesin e ankimimeve. Një nga komunat më shumë të debatuara, dhe kjo për shkak të rezultatit të ngushtë me të cilin janë ndarë kandidatët, është Finiqi në Sarandë. Për këtë komunë, MEGA ka paraqitur një kërkesë ankimore, nëpërmjet të cilës godet rezultatin e shpallur nga KZAZ dhe PBDNJ, me anë të një kërkese të paraqitur vetëm dje kërkon pavlefshmërinë, megjithëse kandidati i saj është shpallur fitues vetëm me një votë më shumë. Ndaj në varësi të shqyrtimit të sotëm, KQZ me shumë gjasa pritet të pranojë kërkesën e MEGA-s dhe të hapë kutitë e votimit për të vlerësuar votat e pavlefshme. Ndërkohë që një komunë tjetër, e cila do të shqyrtohet sot nga KQZ është edhe komuna Kolsh, për të cilën PD ka paraqitur një kërkesë për pavlefshmëri të rezultatit.
Finiqi
KQZ është mbledhur dje për të shqyrtuar kërkesën ankimore të partisë minoritare MEGA, me anë të së cilës goditej rezultati i shpallur nga KZAZ-ja përkatëse. Por, ndërsa KQZ ishte përgatitur për të hapur edhe kutitë e votimit për të verifikuar pretendimet e MEGA, komisioni është gjendur para një kërkese të re lidhur me këtë komunë, paraqitur nga partia tjetër e minoriteteve PBDNJ. Megjithëse kandidati i PBDNJ-së u shpall fitues vetëm me një votë, kjo forcë politike në kërkesën e saj kërkon pavlefshmëri të rezultatit. Një strategji kjo për të shmangur përmbysjen e rezultatit nga KQZ, pas shqyrtimit të kërkesës së MEGA-s, e cila kërkon rivlerësimin e dy votave, të cilat nga grupet e numërimit janë konsideruar si të pavlefshme. “Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qendrën e votimit 4628, komuna Finiq, KZAZ nr. 66. Kundërshtim i vendimit të KZAZ nr.66 dhe vendimit nr 8 datë 1.8.2011 për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të komunës Finiq dhe kundërshtim ndaj mosmarrjes vendim prej KZAZ”, - thuhet në objektin e kërkesës së PBDNJ-së, e cila dje është mbështetur edhe nga Partia Socialiste. Për shkak se dy kërkesat e paraqitura nga MEGA dhe PBDNJ kanë thuajse të njëjtin objekt, KQZ ka vendosur t’i shqyrtojë së bashku gjatë ditës së sotme, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e hapjes së kutive të votimit.
Kolshi
Një tjetër njësi vendore që është bërë objekt ankimimi ka qenë edhe Kolshi në komunën e Lezhës. Në këtë rast është Partia Demokratike, ajo që kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve të datës 31 korrik, ku fitues doli kandidati socialist. Sipas kërkesës së paraqitur nga PD, gjatë zgjedhjeve të zhvilluara të dielën e shkuar, në disa qendra votimi janë vënë re parregullsi me emërimin e komisionerëve, ndërkohë që në disa qendra të tjera numri i votave të reflektuara në tabelën e rezultatit nuk përkon me numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim. Edhe kjo kërkesë është lënë të shqyrtohet sot nga KQZ. Me shqyrtimin e këtyre dy kërkesave, KQZ është e detyruar të presë afatin kohor për ankimimet në Kolegj dhe më pas do duhet të shpallë një datë të re për zgjedhjet e reja, që do duhet të zhvillohen në Shalë, por edhe në Finiq dhe Kolsh, gjithmonë nëse do të merren në konsideratë kërkesat për pavlefshmëri të zgjedhjeve.