Takimi Berisha-Jiechi, zonë e lirë për investimet kineze
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me ministrin e Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi. Gjatë takimit, Berisha shprehu mirënjohje për mbështetjen ekonomike, që Kina i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të zhvillimit. “Kryeministri Berisha vlerësoi se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë kanë qenë dhe janë promotorët e zhvillimit epokal në dy vendet tona”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Në takim, kreu i ekzekutivit ilustroi potenacialet e mëdha që, sipas tij, Shqipëria ofron në një sërë fushash me interes për investimet kineze. Ai theksoi se investitorët kinezë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme, në mënyrë që ato të kthehen në histori të vërteta suksesi. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Yang Jiechi nënvizoi se të dy vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu, se do të inkurajojë kompanitë kineze me reputacion, që të shfrytëzojnë potencialet që ofron ekonomia shqiptare. Në këtë kuadër, ministri Yang Jiechi u shpreh se zyrtarët midis dy vendeve duhet të studiojnë të gjitha projektet e zhvillimit dhe mundësitë për financimin e tyre, si dhe shprehu interes për krijimin e një zone të lirë për investimet kineze. Në takim u fol edhe për situatën në rajon dhe zhvillimet në Kosovë. Kryeministri Berisha mbështeti procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. Ai u shpreh se marrëdhëniet në rajon duhet të karakterizohen nga shkëmbimi i lirë ekonomik dhe tregtar pa asnjë barrierë, por, nga ana tjetër, Kryeministri nënvizoi se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë në themel embargon shumë vjeçare të Serbisë ndaj Kosovës. Ai mbështeti përpjekjet për zbatimin e Kushtetutës dhe vendosjen e shtetit të së drejtës në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe inkurajoi vazhdimin e dialogut mes palëve. Kryeministri i kërkoi ministrit të Jashtëm që në të ardhmen qeveria kineze të marrë në shqyrtim njohjen e pavarësisë së Kosovës si veprimi më i drejtë, në kuadër të stabilitetit dhe paqes në rajon. Nga ana e tij, ministri Yang Jiechi u shpreh se qeveria kineze i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se Kina është për një zgjidhje të përshtatshme me dialog dhe në bazë të rezolutave të OKB-së. Ai gjithashtu mbështeti dialogun midis dy vendeve.