Ministri gjerman i Mbrojtjes Gutenberg, ulet në Turqi prej tymnajës së vullkanit
Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl Theodor zu Gutenberg është bllokuar të shtunën në Turqi pas resë së madhe të hirtë të shkaktuar nga vullkani islandez që shkaktoi një kaos të madh në fluturimet ajrore në Europë.
Gutenberg i cili po kthehej në Gjermani nga një vizitë dy-ditore në Afganistan, është detyruar që të ulet në aeroportin e Stambollit.
Si rezultat i tymnajës së hirtë 12 aeroporte ndërkombëtare në Gjermani janë mbyllur duke përfshirë ato në Frankfurt, Duseldorf, Berlin, Hamburg dhe Këln.
Në Bordin e avionit ku udhëtonte Gutenberg ishin edhe pesë ushtarë gjermanë të plagosur në Afganistan. Minsitria e Mbrojtjes Gjermane tha se ushtarët do të mjekohen në Turqi derisa të rihapen aeroportet.
"Do të doja të shprehja mirënjohjen time për qeverinë gjermane, si dhe qeverinë turke për miqësinë dhe mikpritjen për të ndihmuar ushtarët tanë të plagosur. është pozitive të kesh partnerë dhe miq të tillë, dhe jemi vërtetë mirënjohës," tha Gutenberg duke falenderuar partnerët turq. Gjithashtu reja e hirtë e shkaktuar nga vullkani në Islandë ka bllokuar të premten edhe kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila ishte duke kthyer nga një udhëtim në SHBA. Merkel është detyruar të ulet në Portugali dhe të kalojë natën në Lisbonë.