E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Mandati i ardhshëm, mandati i infrastrukturës moderne dhe i punësimit masiv”

27-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri përuron rrugën Bërxull-Domje, një investim me vlerë 233 milionë lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Bërxullë - Domje, me gjatësi  5.3 kilometër. “Mandati i ardhshëm do të jetë mandati i ndërtimit të infrastrukturës më moderne në çdo skaj të vendit, mandati i punësimit masiv të shqiptarëve”, deklaroi Kryeministri Sali Berisha, gjatë përurimit të kësaj rruge, një investim me vlerë 233 milionë lekë që u shërben rreth 10 mijë banorëve të kësaj zone.
Në fjalën e tij, Berisha siguroi se qeveria do të mbështesë e financojë çdo projekt që kryetari i komunës do të paraqesë për të ndryshuar jetën e komunitetit. Ai informoi se së shpejti do të fillojnë punimet e rrugës Bërxull-Laknas, ndërkohë që investime të tjera janë në proces për të ndërtuar infrastrukturën më moderne që do të transformojë këtë zonë.
“Në këto vite ne kemi shpallur përparësinë tonë më madhore, infrastrukturën moderne: rrugë, drita, kanalizime, ujësjellës, shkolla moderne në të gjitha komunat dhe fshatrat e vendit. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për tu dhënë komunave dhe fshatrave infrastrukturën e lagjeve të qyteteve. Kushdo që ngre dyshime për këtë le të vijë në Domje”, tha Berisha.
Duke u ndalur te investimet e qeverisë në zonat rurale, Kryeministri u shpreh se kemi ndërtuar mbi 8 mijë km rrugë në Shqipërinë rurale, në fshatrat dhe komunat e saj, dhe 11 mijë km rrugë në mbarë vendin. “Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla nga të cilat mbi 1 mijë janë në Shqipërinë rurale, kemi garantuar të njëjtat standarde, kabinete informatike në shkollat e fshatrave, kemi bërë gjithçka për ujësjellësit dhe kanalizimet”, tha Berisha, duke siguruar se 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e përfundimit të infrastrukturës moderne në të katër anët e vendit.
Sipas Kryeministrit, “vetëm në rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve janë punësuar mbi 57 mijë qytetarë”.
Ndërtimi i rrugëve, sipas tij, “ka sjellë edhe krijimin e dhjetëra mijëra bizneseve dhe ka nxitur prodhimin, pasi aty ku shkon rruga aty nis biznesi dhe krijohet puna. Alternativa jonë janë rrugët e reja, shkollat, kopshtet, qendrat shëndetësore, ujësjellësit, kanalizimet, krijimi i vendeve të punës, rritja e rrogave dhe pensioneve. Përballë është alternativa tjetër e varfër, e shkretë, por e pasur në mashtrime dhe trillime të përditshme”, vijoi Kryeministri, ndërsa akuzoi kreun e PS-së Edi Rama se në takimet e tij elektorale po shpërndan vetëm gënjeshtra dhe alternativa e tij mbështetet në mashtrime dhe trillim.
“Edi Rama po deklaron së fundi se nuk ka qenë kurrë kundër Rrugës së Kombit, në një kohë që nisi deputetët në hyrjen e tunelit për të bllokuar ndërtimin e tunelit dhe shpallte Rrugën e Kombit si rruga e asgjësë. Le ta lëmë atë në gënjeshtrën dhe të shkuarën e tij, disfatën e tij, pasi nuk ka burrë në Shqipëri dhe në Ballkan si ai, arkitekt më të zotin për humbje njëra pas tjetrës”, tha Berisha.
Ai ftoi banorët e Domjes dhe mbarë Shqipërisë që të votojnë në 23 qershor për tu ndarë përfundimisht me këtë grup njerëzish, që me aktin më të shëmtuar antishqiptar, kundër interesave të shqiptarëve bllokuan për qëllime personale dhe pushteti, statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. “Ju ftoj ta shndërrojmë këtë fushatë elektorale në fushatën më të qytetëruar, me pjesëmarrjen më masive për të arritur fitoren e madhe të shkëlqyer”, tha në përfundim Kryeministri Berisha.
Rikonstruksioni i rrugës Bërxullë-Domje, me gjatësi 5.3 kilometër, është një investim me vlerë 232,308,000 lekë, financim i qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës. Kjo rrugë u vjen në ndihmë 10 mijë banorëve të kësaj zone dhe lidh fshatrat Bërxullë, Domje dhe Laknas me rrugën nacionale Tiranë - Durrës dhe superstradën e Rinasit.
Gjendja e rrugës përpara investimit ka qenë shumë e keqe, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave.
Rruga është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë, sinjalistikën, kanalizimet e ujërave të bardha dhe te zeza, mure mbajtëse, vepra arti etj. Ky investim shkurton kohën e udhëtimit krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës, duke lehtësuar gjithashtu lidhjen me qendrat administrative të komunës Bërxullë dhe bashkisë Kamëz, shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore. Ndërtimi i kësaj rruge do të nxisë zhvillimin social - ekonomik të zonës, duke krijuar mundësi për zhvillimin e  bizneseve të vogla lokale dhe familjare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›