Ministri i Brendshëm Lulzim Basha: Vizat, janë drejt përmbushjes edhe kërkesat e fundit të KE-së

Hapat e hedhura për vizat, do konkretizojnë shumë shpejt lëvizjen e lirë në hapësirën "Schengen"
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha është shprehur sot gjatë një konference për migrimin, se Shqipëria ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe se pret e qetë vendimin e Komisionit Evropian për hyrjen në zonën “Schengen”. “Qeveria shqiptare ka përmbushur edhe kërkesën më të fundit të KE-së për të riatdhesuarit. është ndjekur një strategji të plotë për ta, duke përfshirë edhe kostot financiare. Shpreh bindjen, se hapat që janë hedhur për plotësimin e kushteve do të konkretizojnë shumë shpejt lëvizjen pa viza edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës”- u shpreh ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ministri shprehu dhe njëherë angazhimin e qeverisë shqiptare, për të realizuar çdo reformë që bën të mundur afrimin e shqiptarëve me familjen e madhe evropiane.
Fjala e plotë e ministrit Basha në workshop-in e Inisiativës Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët(MARRI) që u zhvillua në Tiranë me temë “Përmirësimi dhe intensifikimi i aksesit për informacion dhe shkëmbimit të të dhënave mbi migracionin dhe refugjatët midis vendet të MARRI-t. Pa viza- pa tarifa- zonë e lëvizjes së lirë mes vendeve të MARRI-t”.
“është kënaqësi e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë takim të parë të presidencës shqiptare MARRI-t këtu në Tiranë dhe t’ju uroj punime të mbara për të përparësuar më tej objektivat e kësaj inisiative. Më lejoni dhe njëherë të përsëris falenderimet për presidencën malazeze dhe punën e shkëlqyer të kryer gjatë vitit që shkoi në konsolidimin e partneritetit dhe bashkëpunimit midis vendeve tona dhe përparësimin e prioriteteve kryesore të kësaj inisiative. Prioritetet e presidencës shqiptare janë mbi tavolinën tuaj dhe janë të qarta dhe ambicioze. Synimi ynë kryesor është të përcaktojmë brenda një kohe të shkurtër një kalendar realist për arritjen e Shengenit ballkanik, lëvizjes së lirë të qytetarëve të gjithë vendeve tona pa barriera administrative, kufitare dhe tarifore. Prioritet madhor mbetet forcimi i kontrollit të kufijve për të siguruar një rajon me kufij të papenetrueshëm nga krimi transkufitar dhe transkombëtar, një rajon i cili eksporton vetëm siguri drejt vendeve të BE. Prioritet për ne është shkëmbimi pa asnjë pengesë i të dhënave mbi emigracionin në secilin prej vendeve tona për të siguruar një bankë të dhënash të përbashkët mbi të gjitha fenomenet e migracionit me të cilat përballen vendet tona. Një projekt me një rëndësi rajonale për ne është edhe thellimi i praktikës së kontrollit të kufirit blu nëpërmjet rajonalizimit të eksperiencës së Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, e cila operon me sukses të plotë në Durrës. Gjatë muajve të fundit, duke filluar nga nëntori i vitit të kaluar qytetarëve të rajonit po u ofrohet mundësia e lëvizjes pa viza në zonën Shengen. Kjo mundësi sjell me vehte përgjegjësi të shtuara për vendet e rajonit, përgjegjësi të cilave duhet t’u përgjigjemi me një shkallë angazhimi dhe me vendosjen e praktikave analoge me vendet Shengen përsa i përket policimit të kufijve, migracionit, luftës kundër krimit dhe trafiqeve. Në këtë kuadër disa prej fenomeneve të shfaqura pas liberalizimit të vizave, si ai i kërkimit të azilit u ndoq me përparësi nga qeveritë përkatëse dhe nuk u kthyen dot në faktorë shkurajues në këtë process kaq të rëndësishëm për perspektivën europiane të rajonit tonë. Kam kënaqësinë t’ju informoj se dhe qeveria shqiptare ka miratuar një strategji të plotë dhe të gjithanshme për riintegrimin e të rikthyerve së bashku me plan veprimin dhe kostot përkatëse financiare, duke mbyllur në mënyrë të plotë këtë detyrim të ri të paraqitur Shqipërisë në mars nga Komisioni Europian. Në takimin e fundit homologët dhe kolegët e mi ministra i dhanë mbështetje të plotë axhendës shqiptare për presidencën njëvjeçare të MARRI-t. Kujtoj këtu mbështetjen e ministrit Ivica Dacic për projektin e një Shengeni ballkanik të mbështetur edhe nga ministrat e tjerë. Mështetjen e kolegut tim malazez Ivan Brajovic për një bazë të përbashkët të dhënash për të gjithë personat e vendeve të treta që migrojnë apo kërkojnë azil në vendet tona, si dhe përkrahjen e çdo vendi anëtar për një përqasje sa më uniforme bazuar edhe në praktikat dhe sistemet pothuajse uniforme që vendet tona tashmë disponojnë si rezultat i procesit të liberalizimit të vizave. Shpreh bindjen se hapat domethënës që janë hedhur në plotësimin e të gjitha kushteve, duke përfshirë edhe kushtet shtesë për liberalizimin e vizave do të konkretizojnë së shpejti lëvizjen e lirë edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës.
Duke ju kërkuar angazhimin tuaj të plotë dhe duke ju siguruar për përkushtimin e plotë të presidencës shqiptare, shpresojmë që gjatë këtij takimi të vendosim në shina lëvizjen sa më të shpejtë drejt arritjes së objektivave të shpallura dhe të përqafuara bashkarisht. Së fundmi të nderuar pjesëmarrës edhe një lutje miqësore për të rikonsideruar praninë e Kosovës në këtë forum, në mënyrë që kjo përqasje të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe pa të përjashtuar dhe pa asnjë paragjykim ndaj pozicioneve të ndryshme që vendet anëtrare kanë përsa i përket pavarësisë së Kosovës. Përsëris kërkesën në emër të presidencës shqiptare dhe në emër të Qeverisë shqiptare secilit prej vendeve tuaja, por edhe Komisionit Europian për një përfshirje të Kosovës në këtë forum, në mënyrë që problemet që ne trajtojmë, të cilat janë probleme të përbashkëta, të trajtohen edhe në kuadrin e territorit të këtij vendi.
...