Ministri i Brendshëm: Policia e Shtetit, jo më roje objektesh
Këshilli i Ministrave do të miratojë së shpejti një projektligj i cili do të eliminojë disa detyra për Policinë e Shtetit të mbetura nga e kaluara. Pohimi u bë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. I pyetur nga deputetët e Komisionit të Sigurisë për këtë çështje, ai sqaroi: Një projektvendim nga Ministria e Brendshme do të kalojë së shpejti për miratim në Këshillin e Ministrave ku do të kërkohet eliminimi i funksioneve të mbetura nga një e kaluar e policisë si roje objektesh. Natyrisht, - pohoi ai, - një pjesë do të mbetet për objekte të sigurisë së veçanta, por do të eliminohen disa detyra që realisht nuk duhet të kryen nga Policia e Shtetit por policia private. Ministri shtoi se puna e mirë e Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të saj do të eliminojë edhe punën e policisë për prerjen e fushave të tëra me kanabis sativa. Një objektiv do të jetë edhe çrrënjosja e kanabis sativa. Jam i bindur që masat që kemi marrë në vijimësi, do të bëjnë të mundur që prerja dhe çrrënjosja të jetë më e ulët se një vit më parë, sepse praktikisht parandalimi i këtij fenomeni në këtë vit është në kuotat maksimale, - tha ai.