Ministri i Brendshëm: Kemi sekuestruar 2800 kg kanabis për 3 muaj
Ministri i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, vlerëson punën e mirë të Policisë së Shtetit dhe luftën e saj kundër trafikut dhe kultivimit të lëndëve narkotike. Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë për këtë problem, ai theksoi se për 3 muaj Policia e Shtetit ka sekuestruar 2800 kg kanabis sativa, sasi kjo dyfish më e lartë se i gjithë viti i kaluar. Kjo, - pohoi Basha, - është bërë e mundur në sajë të punës shumë të mirë të strukturave përkatëse. Ai pohoi se aktualisht policia është në një fushatë kundër kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa theksoi se sipas statistikave të ekspertëve, kultivimi në dy vitet e fundit ka rënë në masën 30% në sajë të koordinimit të punës së bërë nga Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj, pushteti vendor dhe komuniteti. Në zbatim të planit të veprimit janë në veprim shtabi qendror i luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe shtabet lokale me strukturat vendore. Për herë të parë janë përshirë në struktura dhe drejtues të strukturave rajonale të kufirit dhe migracionit.
Janë asimiluar planet e veprimit, planet e masave, raporti javor kombëtar paraqitet pranë ministrit të Brendshëm, - tregoi Basha për masat e marra në këtë drejtim. Ai vlerësoi dhe bashkëpunimin shumë të mirë edhe me përfaqësuesit e NATO-s apo Guardia di Financën për vëzhgimin satelitor të terrenit. Ndërsa vlerësoi si shumë pozitiv bashkëpunimin me komunitetin ai pohoi se në fund të korrikut do të raportojë në Kuvend për rezultatet përfundimtare të fushatës kundër kultivimit. Basha theksoi se edhe raportet ndërkombëtare vënë në dukje faktin se Shqipëria nuk është më rrugë e preferuar e transitit të heroinës afgane. Sistemet dhe praktikat tona kanë bërë të mundur jo vetëm një goditje më të fuqishme, por dhe koordinim shumë më efikas me palën italiane dhe greke. Element i rëndësishëm këtu do të jetë dhe zbatimi i ligjit Antimafia, konfiskimi i pasurive të trafikantëve qofshin me banim në Shqipëri apo kudo tjetër, - tha ai. Basha shprehu keqardhje edhe për akuzat e opozitës ndaj Policisë së Shtetit. Ai pohoi se Policia e Shtetit është një organ i depolitizuar që përbëhet nga të djathtë dhe të majtë në bindjet politike, por që i shërbejnë me nder nën uniformën e shtetit, nën simbolet e policisë ligjit dhe Kushtetutës. Shembulli më i mirë i punës së tyre, - pohoi ministri i Brendshëm, - ishin zgjedhjet e kaluara.