E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, Basha: PS akuzoi, por asnjë kallëzim penal

Nuk ka asnjë denoncim të vetëm për falsifikim të kartave të identitetit pavarësisht deklaratave të opozitës. Ky pohim u bë dje nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ai pohoi se as eksponentë të PS-së dhe as ndonjë qytetar i thjeshtë nuk ka bërë qoftë edhe një kallëzim të vetëm penal. Specifikimet e sigurisë të dokumenteve biometrike janë plotësisht në përputhje me standardet IKAO dhe BE dhe shenjat e gishtërinjve përdoren si identifikues sekondarë biometrikë, - tha ai. Basha pohoi më tej se Ministria e Brendshme ka bërë një kallëzim penal në prokurorinë e rrethit Tiranë për pretendimet e parashtruara nga disa deputetë të opozitës. Nuk është vënë në dispozicion dhe nuk është raportuar pranë Ministrisë së Brendshme, as nga ata dhe as nga ndonjë qytetar, asnjë rast, i cili do të linte vend për dyshim për sa i përket falsifikimit të suksesshëm apo abuzimit në sistemin e lëshimit qoftë të një karte identiteti apo pasaporte biometrike. Sistemi, i cili aktualisht po i afrohet vlerës së mbi 3 milionë njësish të lëshuara, nga të cilat mbi 2 milionë karta identiteti dhe afro mbi 800 mijë pasaporta, deri tani ka një shkallë zero abuzimi, - theksoi ai. Ministri sqaroi se brenda sistemit janë inkuadruar të gjithë parametrat teknikë dhe janë bërë të gjitha trajnimet e nevojshme të personelit të kompanisë koncesionare që bëjnë kontrollin dhe sipas rastit edhe eliminimin e rastit të keqfunksionimit, që ka një përqindje prej më pak se 1 për qind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›