E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Bujqesise takime me fermeret ne Durres

Modernizimi i serave dhe fermave bujqësore po shihet si një nga ndihmesat kryesore për suksesin e të bërit biznes. Shumë ferma kanë arritur të çajnë tregjet falë përshtatjes së teknologjive, duke ulur kështu kostot dhe duke rritur cilësinë e prodhimin. 
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit Genc Ruli pa nga afër një prej impianteve më të mëdhenj të prodhimit të fidanëve të perimeve në zonën e Durrësit, ku u informua se te gjitha farërat e perimeve merren në Izrael, Hollandë e të tjera vende dhe janë të mbrojtura nga sëmundjet që mund të prekin bimët ndërsa vetë ministri theksoi se tanimë i gjithë zinxhiri që nga mbjellja e perimeve, prodhimi dhe shpërndarja në tregjet po kontrollohet duke garantuar cilësi për konsumatorin. 
“Në këtë serë pamë nga afër një zinxhir të plotë të prodhimit të fidanëve. Kompania ka arritur të mekanizojë të gjithë sistemin, që nga përpunimi i dheut ku mbillen farërat e ndryshme e deri të rritje e fidanit në sera. Më pas këta fidanë cilësore shpërndahen te fermerët në gjithaq vendin, të cilët prodhimin e nxjerrin në treg, apo në pikat e grumbullimit. Ky është një model që ka sukses në treg, pasi fermerët me një pagesë të vogël blejnë fidanët e perimeve duke u lehtësuar nga një barrë e vështirë”, u shpreh ministri Ruli. 
Ndihmë për këtë kompani e cila prodhon rreth 2.5 milion fidanë shalqinjsh, kastravecash, domatesh, specash e të tjerë  është edhe përftimi financiar për seren me ngrohje dhe subvencioni i përfituar nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Gjithashtu kjo kompani me një kredi prej 15 milion lekësh, të dhënë nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka ngritur një prej dhomave frigoriferike më të mëdha në rrethin e Durrësit ku behet grumbullimi i perimeve për tregtim dhe eksport të sjellë nga fermerë dhe firma me aktivitet bujqësor në këtë zonë por dhe në zona të tjera.
Si shembull i suksesit është fakti që gjatë muajve qershor dhe korrik të këtij vitit nga kjo magazinë janë eksportuar 155.43 ton  shalqi në shtetin e Lituanisë.
Ndërkohë që në Hamallaj të Durrësit ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli ka vizituar një tjetër fermë të sukseshme, por këtë herë për prodhimet bio. 
Këto sera kanë një kapacitet prodhues vjetor prej rreth 2 mijë ton perime. Sezonin e ardhshëm këtu pritet të prodhohen edhe luleshtrydhet bio.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›