Ministri i Transportit inspekton punimet e rruges Lushnje- Berat
Punimet në lotin e parë të rrugës Lushnje – Berat po ecin me ritme mjaft të mira, ndërkohë që Ministria e Punëve Publike dhe Transportit po përgatitet të nisë procedurat për lotet e tjerë të këtij aksi të rëndësishëm.
Në gjashtë kilometrat e parë të rrugës së re, që nis tek rrethrrotullimi në hyrjen jugore te qytetit të Lushnjes, dhe përfundon në kryqëzimin e fshatit Kosovë, kompania ndërtuese GPG po mbyll nënshtresat mbajtëse të rrugës, për të vijuar më pas me stabilizantin dhe paketën asfaltike.
Gjatë një inspektimi në këtë segment që kalon në një trajektore tërësisht të re, ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi tha se rruga Lushnje- Berat është pjesa më e rëndësishme e një investimi trekëndor që qeveria Berisha po bën në këtë zonë, bashkë me segmentin Elbasan-Belsh-Kuçovë, pjesë e boshtit të jugut dhe me rikonstruksionin që pritet të fillojë së shpejti në aksin Fier- Roskovec- Berat.