E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm Michael Spindelegger garanton mbështetjen e Austrisë në hapat e mëtejshëm për anëtarësimin në BE

Kryeministri Berisha priti sot në takim ministrin e Jashtëm të Austrisë Michael Spindelegger.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Spindelegger për përkrahjen dhe ndihmën e gjithanshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha.

Ministri Spindelegger e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe lidhjet e ngushta midis dy vendeve, duke nënvizuar se Austria do të vazhdojë të mbështesë dhe përkrahë Shqipërinë në të gjitha fushat.

Duke i shprehur urimet më të përzemërta Kryeministrit Berisha për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Shqipërisë, ministri Spindelegger e garantoi Kryeministrin Berisha se Austria do ta mbështesë Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të saj për anëtarësimin në Bashkimin Europian si përsa i përket shqyrtimit të aplikimit për anëtarësinë dhe statusin e kandidatit, ashtu edhe përsa i përket liberalizmit të vizave. 

Kryeministri Berisha, duke e falënderuar për mbështetjen dhe ndihmën e Austrisë, theksoi se qeveria shqiptare e ka parë gjithmonë procesin e integrimit në BE dhe stadet e tij si një proces të bazuar mbi performancën dhe është tërësisht e përkushtuar dhe po punon për përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kritereve që qytetarët shqiptarë të lëvizin pa viza në hapësirën europiane dhe të shohin vendin e  tyre sa më parë anëtar të BE-së.

Në takim u diskutuan gjithashtu për reformat dhe arritjet e qeverisë në shumë fusha dhe angazhimi i dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh, në veçanti në fushën ekonomike dhe tërheqjen e investitorëve austriakë në Shqipëri.


08/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›