Kryeministri Berisha takohet me një grup pjesëmarrësish të Lojrave Olimpike Speciale

Kryeministri Berisha gjatë paradites zhvilloi një takim mjaft të këndshëm e të ngrohtë me një përfaqësi sportistësh të rinj, të cilët janë pjesë e Lëvizjes Olimpike Speciale, e cila është një nisëm botërore, ku aderon dhe Shqipëria, dedikuar personave me aftësi të kufizuar intelektuale.
Ky grup atletësh të rinj duke përshkuar Bulevardin “Dëshmorët e Kombit“, u ndalën përpara ndërtesës së Këshillit të Ministrave, poshtë ballkonit të Zyrës së Kryeministrit me dëshirën e madhe për t’u përshëndetur me të. Kryeministri Berisha menjëherë doli jashtë, ku ata ndodheshin dhe u takua nga afër ngrohtësisht me të rinjtë, të cilën mbanin në dorë Flakën e Pishtarit Olimpik të këtij aktiviteti, përmes të cilit kërkojnë rritjen e mbështetjes dhe ndërgjegjësimin qytetar në ndihmë të këtij komunitetit, që ka aq shumë nevojë për vëmendje dhe mbështetje.
Kryeministri Berisha i falënderoi të rinjtë duke i përgëzuar ata dhe duke e quajtur këtë nisëm, një nisëm të shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të dobishme, duke u shprehur se sot të gjithë i kanë sytë tek ky aktivitet.
Këto Lojra Olimpike Speciale do të mbahen në datat 8-10 tetor në Tiranë dhe pjesëmarrësit në to vijnë nga Elbasani, Pogradeci, Lezha, Shkodra, Tirana, Vlora, Korça, Berati dhe Durrësi.
08/10/2009